Ndërlidhjet

Scholz: Taktikat e tokës së djegur nuk do t’i ndihmojnë Putinit


Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të enjten se presidenti rus, Vladmir Putin, është duke përdorur energjinë dhe krizën e urisë si armë, mirëpo ka dështuar që të thyejë unitetin e Perëndimit, dhe nuk do të arrijë synimet e tij përmes taktikave për djegie të tokave.

Duke folur para Parlamentit gjerman, ai ka thënë se Gjermania e ka liruar veten nga varësia në gazin rus, mirëpo është duke punuar në uljen e çmimeve, përfshirë sigurimin e kontratave të reja për furnizim me gaz nga shtetet tjera.

Ushtria ruse e ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë në Ukrainë ditëve të fundit, duke nxitur autoritetet ukrainase që të vendosin kufizime në konsum të rrymës, për herë të parë prej nisjes së luftës.

Rusia, në anën tjetër, e ka mohuar se shënjestron civilët.

“Ne nuk do ta lëmë pa përgjigje përshkallëzimin e fundit të Moskës… taktikat e tokës së djegur nuk do t’i ndihmojnë Rusisë që të fitojë luftën. Ne vetëm do të vazhdojmë forcimin e unitetit dhe vendosmërinë e Ukrainës e të partnerëve të saj”, ka thënë Scholz para Parlamentit gjerman.

“Të gjitha gënjeshtrat dhe propaganda, bisedimet për ‘operacione speciale’ dhe fitoret e shpejta – të gjitha janë fasadë”.

Më 20 tetor, kompania ukrainase e rrjetit energjetik, Ukrenergo, u ka bërë thirrje banorëve që të “mbushin të gjitha bateritë” para nisjes së kufizimeve në furnizim me energji, duke paralajmëruar edhe për ndërprerje totale të energjisë, nëse nuk kursehet rryma.

Oleksandr Kharchenko, këshilltar në Ministrinë e Energjisë, ka thënë më 19 tetor se, sipas të dhënave të reja, rreth 40 për qind e infrastrukturës totale është dëmtuar seriozisht.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG