Ndërlidhjet

Murphy: Asociacioni do të çojë drejt njohjes së ndërsjellë


Senatorët amerikanë, Gary Peters dhe Chris Murphy gjatë konferencës për media në Qeverinë e Kosovës.
Senatorët amerikanë, Gary Peters dhe Chris Murphy gjatë konferencës për media në Qeverinë e Kosovës.

Senatorët amerikanë kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Kosova këtë vit të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, u takuan më 22 maj në Prishtinë me presidenten, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Senatori Murphy tha se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.

"Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, që do të çojë deri te njohja e ndërsjellë. Prandaj, na vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe jemi të gatshëm që t’iu përkrahim", tha ai pas takimit me Kurtin.

Deklarata të ngjashme ai bëri edhe pas takimit që zhvilloi paraprakisht me presidenten Osmani.

“Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët”, tha Murphy pas takimit me të parën e shtetit.

Ai iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel, si dhe Aneksit të zbatimit të saj, që u arrit në Ohër më 18 mars.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Presidentja Osmani tha se në takim u ka treguar senatorëve amerikanë të gjitha shkeljet që po i bën Serbia kësaj marrëveshjeje, që përfshin edhe mospengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit, kryeministri Kurti, kërkoi që Marrëveshja drejt normalizimit të zbatohet tërësisht.

"Ato [Marrëveshja bazë dhe Aneksi] përbëjnë avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe janë platformë mundësi për normalizimin e plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime.

Në prill, Serbia ka votuar kundër kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do të paraqesë pengesa të tilla.

Ndërkaq, senatori Peters vlerësoi lartë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së dhe premtoi vazhdimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga Uashingtoni.

"Do të vazhdojmë që të shohim mundësitë për të ofruar bashkëpunim në sigurinë kibernetike dhe gjithashtu edhe për përmirësimin e raporteve me forcat ushtarake të SHBA-së dhe për ndërveprimin me forcat e tjera në mbarë Evropën", tha Peters.

Vizita e dy senatorëve në Kosovë vjen disa ditë pasi Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit amerikan mbajti një seancë për politikën e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë senacë u deklaruan këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Që të dy zyrtarët kërkuan nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Prishtina të themelojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore.

Serbia kërkon themelimin e Asociacionit, por Qeveria në Prishtinë ka shprehur frikën se një asociacion njëetik mund të prekë funksionalitetin e shtetit.

XS
SM
MD
LG