Ndërlidhjet

Serbët e veriut shtojnë interesimin për dokumente të Kosovës

  • RFE /RL

Pasaportë e Republikës së Kosovës

Pas problemit të shfaqur lidhur me dokumentet serbe, të cilat për qytetarët serbë të Kosovës i lëshon Drejtoria koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, por që janë të pavlefshme dhe jolegale në Kosovë, zyrtarët e Drejtorisë së Administratës të Komunës së Mitrovicës së Veriut, thonë se është rritur numri i qytetarëve, të cilët i kanë dorëzuar kërkesat për dokumentet e Kosovës.

Një prej këtyre qytetarëve është Ivana Petroniq nga Zveçani, e cila për shkak të problemeve me dokumentet serbe, ka vendosur të marrë dokumentet e Kosovës.

Ne më nuk mund të shkojmë askund, as në Maqedoni dhe për këtë shkak unë tashmë i kam hyrë kësaj procedure. Kam dorëzuar kërkesën për shtetësi, certifikatën nga libri amzë i të lindurve. Nuk kam pasur ndonjë problem të madh, marrë parasysh që unë kam lindur dhe kam jetuar këtu gjithë jetën. Shpresoj që nuk do të ketë probleme, sepse po paralajmërojnë se do ta ashpërsojnë regjimin për marrjen e shtetësisë. Është evidente se kemi arritur në pikën që duhet t’i kemi ato dokumente”, tha Petroniq për Radion Evropa e Lirë.

Xhevdet Haxhiu, nga njësia e regjistrit civil e Komunës së Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i atyre që kanë aplikuar për dokumente, në krahasim me 6 muaj ose 1 vit më parë, është rritur rreth 40 për qind. Sipas tij, çdo ditë janë rreth 10 qytetarë që dorëzojnë kërkesat për certifikata nga librat amzë dhe për shtetësinë.

Ata nuk i kanë numrat të lëshuar nga administrata e UNMIK-ut, nga organet e përkohshme dhe për shkak të atyre kritereve, të gjithë ata persona duhet të aplikojnë për marrjen e shtetësisë së Kosovës”, tha Haxhiu. Ai shtoi se kjo procedurë vlen për pjesëtarët e të gjitha bashkësive, qoftë të asaj shumicë apo të atyre pakicë. Sipas tij, koha dhe procedurat e gjata mbeten problem, për shkak se në qendrën për regjistrimin civil është numri i vogël i shërbyesve, ndërkohë që kërkesat janë rritur.

Përderisa para disa kohësh, procedura zgjaste rreth dhjetë ditë ose dy javë, tashmë prolongohet për pesë, gjashtë apo shtatë muaj”, theksoi Haxhiu.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës në largim, Edita Tahiri, më herët pati thënë për Radion Evropa e Lirë se pasaportat e Drejtorisë koordinuese “asnjëherë nuk kanë qenë të vlefshme në Kosovë, sepse kanë qenë jolegale dhe se Drejtoria koordinuese është strukturë jolegale”.

Ne tashmë i kemi hapur zyrat tona të Regjistrimit civil në komunat në veri, në mënyrë që t’i furnizojmë qytetarët me pasaportat tona”, ka thënë Tahiri.

Në një agjenci udhëtimi, autobusët e të cilit qarkullojnë në relacionin Novi Pazar - Shkup, kanë konfirmuar se edhe më tej kalimi përtej kufirit nuk është i mundur për qytetarët që i kanë pasaportat e lëshuara nga Drejtoria koordinuese, si dhe me letërnjoftimet, të cilat Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i lëshon për qytetarët e Kosovës.

Milan Radojeviq, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ekziston asnjë vendim i Qeverisë ose Ministrisë së Brendshme që ato dokumente të jenë shpallur të pavlefshme për territorin e Kosovës.

Ministria për Dialog thirret në marrëveshjen për lëvizjen e lirë të vitit 2011, por ajo absolutisht nuk reflekton definimin se cilat dokumente janë të vlefshme ose jo. Ajo marrëveshje, në mënyrë ekskluzive definon mënyrën e kalimit të vijës administrative nga njëra dhe ana tjetër. Marrëveshja për lëvizjen e lirë e viti 2011, ashtu sikurse ajo e viti 2014 dhe kjo e fundit e vitit 2016, absolutisht nuk e definojnë e as nuk flasin për atë që këto dokumente, pasaportat e Drejtorisë koordinuese, letërnjoftimet, lejet e vozitjes, madje edhe pasaportat e lëshuara nga ana e drejtorive policore të zhvendosura nga territori i Kosovës, se janë të pavlefshme për territorin e Kosovës”, tha Radojeviq.

I pyetur se në bazë të cilit vendim policët kufitar nuk i pranojnë këto dokumente dhe i kthejnë qytetarët, Radojeviq thotë se bëhet fjalë për instruksionet e Drejtorisë së policisë kufitare, me sugjerimin e Ministrisë për Dialog. Sipas tij, as policët në kufi nuk kanë argumente të mjaftueshme me të cilat do t’ua shpjegonin qytetarëve se pse duhet të kthehen në kufi dhe pse nuk mund të kalojnë me ato dokumente.

Përgjigjja se kjo po bëhet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2011, është absolutisht e pamjaftueshme për qytetarët. Është e nevojshme të tregohet neni i ligjit që e ndalon këtë dhe e definon këtë në Kosovë. Por, një ligj i tillë nuk ekziston”, tha Radojeviq.

Kur i ishte hequr regjimi i vizave, në vitin 2009, Serbia atëherë e kishte miratuar rregulloren, sipas të cilës, personave që kanë vendbanim në Kosovë, dokumentet e udhëtimit ua lëshonte Drejtoria koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Serbisë në Beograd.

Kjo edhe figuron në ato pasaporta dhe për pronarët e tyre nuk ka vlejtur liberalizimi i vizave për shtetet e BE-së.

Bartësit e atyre pasaportave, për viza i drejtoheshin ambasadave në Prishtinë dhe Beograd.

Autor: Maja Fiçoviq

Përgatiti: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG