Ndërlidhjet

Biden bën thirrje për unitet teksa SHBA-ja shënon 20-vjetorin e sulmeve terroriste


Presindeti amerikan Joe Biden, ish-presidenti Barack Obama marrin pjesë ceremoninë përkujtimore në Nju Jork.
Presindeti amerikan Joe Biden, ish-presidenti Barack Obama marrin pjesë ceremoninë përkujtimore në Nju Jork.

Shtetet e Bashkuara kanë shënuar 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke organizuar ceremoni në mbarë vendin. Ndërkaq, presidenti Joe Biden i bëri thirrje kombit që të tregojë të njëjtin unitet që kishte treguar në ditën kur ndodhën sulmet terroriste.

Në memorialin për 11 shtatorin në Nju Jork në ora 08:46, sipas kohës lokale, u mbajt një minutë heshtje. Kjo orë përkon me orën kur aeroplani i parë i rrëmbyer u përplas me Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001.

Familjarët e viktimave lexuan emrat e mbi 2,600 personave të vrarë në sulmet ndaj Kullave Binjake. Në këtë ceremoni mori pjesë presidenti Joe Biden si dhe ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton.

Ceremoni të tjera janë paraparë të mbahen edhe në Pentagon në Uashington DC dhe në Shanksvill të Pensilvanisë, vende që po ashtu ishin cak i sulmeve të Al-Kaidës.

Shënimi i 20-vjetorit të kësaj ngjarjeje erdhi vetëm disa ditë pasi të gjitha trupat amerikane u tërhoqën nga Afganistani, pas dy dekadash luftë, që kulmuan me rimarrjen e Afganistanit nga militantët talibanë.

Në një video-mesazh të postuar në prag të shënimit të 20-vjetorit të sulmeve, Biden u bëri thirrje amerikanëve që të tregojnë unitet, pasi ai tha se uniteti “është forca jonë më e madhe”.

“Për mua, ai është mësimi kryesor nga 11 shtatori. Në momentet më të rënda, në betejën për shpirtin e Amerikës, uniteti është forca jonë më e madhe”, tha Biden, gjatë një video-mesazhi nga Shtëpia e Bardhë.

Thirrja e presidentit për unitet vjen në kohën kur amerikanët janë të ndarë lidhur me pandeminë COVID-19, me vaksinimin e detyrueshëm, tërheqjen nga Afganistani dhe të drejtat e votimit dhe abortit.

Biden ka nderuar viktimat e sulmeve dhe mijëra persona që janë plagosur, por edhe zjarrfikësit dhe shumë të tjerë që kanë rrezikuar jetën e tyre apo edhe kanë vdekur gjatë operacioneve të shpëtimit 20 vjet më parë.

Biden pranoi se “forca të errëta të natyrës njerëzore – frika dhe zemërimi, pakënaqësia dhe dhuna kundër myslimanëve amerikanë” ndodhën pas sulmeve, por tha se uniteti është “forca më e madhe” e SHBA-së.

Ndërkaq, në Britani, Mbretëresha Elizabet II, në 20-vjetorin e sulmeve i dërgoi një mesazh presidentit Biden ku thuhej se “mendimet dhe lutjet e mia janë me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e prekura dhe për zyrtarët dhe punëtorët e shpëtimit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG