Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe BE-ja mirëpresin marrëveshjen për targat


Flamuri i SHBA-së dhe ai i BE-së. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Lajm i mirë nga Brukseli - një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.

“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Borrell.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak njoftoi më 30 shtator se Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të shtensionojnë situatën në veri të Kosovës.

Marrëveshja, sipas tij, ka tri pika dhe në të përfshihet heqja e barrikadave dhe njësive speciale nga pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe vendosjen e trupave të KFOR-it.

Që prej 20 shtatorit, rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara, pas masës së reciprocitetit për targat nga Serbia, të marrë nga Qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG