Ndërlidhjet

SHBA-ja do të dërgojë më shumë luftanije dhe avionë luftarakë në Lindjen e Mesme


Avioni luftarak Super Hornet ngrihet nga aeroplanmbajtësi amerikan U.S.S. Dwight D. Eisenhower në Detin e Kuq. (Fotografi nga arkivi)
Avioni luftarak Super Hornet ngrihet nga aeroplanmbajtësi amerikan U.S.S. Dwight D. Eisenhower në Detin e Kuq. (Fotografi nga arkivi)

Shtetet e Bashkuara do të zhvendosin avionë luftarakë dhe luftanije shtesë në Lindjen e Mesme, njoftoi Pentagoni të premten.

Uashingtoni synon ta përforcojë mbrojtjen pas kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij, Hezbollahu dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Irani është zotuar se do të përgjigjet për vrasjen e Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit, më 31 korrik në Teheran.

Tensionet në rajon janë shumë të larta pas vrasjes së Haniyehut dhe një komandanti të lartë të grupit libanez, Hezbollah.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, e dha pëlqimin për dërgimin e luftanijeve shtesë të marinës amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Evropë – të cilat janë në gjendje t’i rrëzojnë raketat balistike.

SHBA-ja do të dërgojë edhe skuadrone shtesë të avionëve luftarakë në Lindjen e Mesme.

“Austini ka urdhëruar ndryshime në pozicionimin e ushtrisë amerikane për ta përmirësuar mbrojtjen e forcave amerikane, për ta rritur mbështetjen për mbrojtjen e Izraelit dhe për t’u siguruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për t’u përgjigjur ndaj çdo pasigurie”, tha Pentagoni në një komunikatë.

Pentagoni shtoi se do ta rrisë gatishmërinë për të zhvendosur edhe më shumë kundërajrorë tokësorë për t’u mbrojtur ndaj raketave balistike.

SHBA-ja e kishte rritur dislokimin ushtarak edhe para 13 prillit, kur Irani e nisi një sulm ndaj territorit izraelit me dronë dhe raketa. Izraeli i rrëzoi pothuajse të gjitha gati 300 raketat dhe dronët iranianë, falë ndihmës nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, bisedoi të enjten me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për dislokimin shtesë ushtarak në mbështetje të Izraelit kundër kërcënimeve të tilla me dronë dhe raketa, tha Shtëpia e Bardhë.

Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyehut dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar atë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG