Ndërlidhjet

SHBA dhe Kina pajtohen që të punojnë së bashku për klimën


Flamujt amerikanë dhe ata kinezë.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë lëshuar një deklaratë të rrallë për media, duke u zotuar se do të punojnë së bashku në fushën e ndryshimeve klimatike.

Në dokument është përmendur se këto shtete janë zotuar se do të zhvillojnë strategji afatgjatë me qëllim të arritjes në nivelin e emetimeve zero.

Kina është emetuesja më e madhe e gazrave serrë në botë, e përcjellë nga Shtetet e Bashkuara.

Xie Zhenhua, kryenegociator i Kinës për çështje klimatike, ka thënë nga Glasgou se pajtueshmëria për marrëveshje është arritur të mërkurën.

“Ne jemi të përkushtuar për të vepruar më shumë, në mënyrë që të arrijnë synimin e Marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe të forcojmë zbatimin e saj”, ka shtuar ai.

Britania e Madhe është nikoqire e Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, që mbahet në Glasgou.

Delegatë nga gati 200 shtete janë duke marrë pjesë në Konferencë për të analizuar mënyra si të zbatohen zotimet e bëra në Konferencën e Parisit për Klimën më 2015, në mënyrë që temperatura mesatare të mbetet në 1.5 deri në 2 gradë Celsius.

Në mesin e marrëveshjeve që janë arritur në konferencën e këtij viti është edhe zvogëlimi i emetimeve të gazrave serrë dhe metanit, si dhe mosfinancimi i projekteve me thëngjill jashtë shteteve pjesëmarrëse.

XS
SM
MD
LG