Ndërlidhjet

DASH: Themelimi i Asociacionit, kritik për të ardhmen e Kosovës


Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se përparimi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovran, multietnik dhe të pavarur të integruar në strukturat euroatlantike”, tha përmes një deklarte, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përballur me thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që të themelojë Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015. Por, ai është shprehur kundër një asociacioni njëetnik, me kompetenca ekzekutive.

Gjykata Kushtetuese më 2015 gjeti se Marrëveshje mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Kurti gjatë shkurtit ka paraqitur disa kushte për themelimin e Asociacionit, përfshirë edhe që të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe t’i ndryshohet emri.

DASH po ashtu e cilësoi si “hap të mirë përpara” rundin e dialogut të zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt, kur palët u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Megjithatë, zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, tha se tani mbetet “puna e vështirë”.

“Marrëveshja për zbatimin e ankesit është thelbësor për normalizimin, sipas propozimit të BE-së”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka thënë se palët kanë shprehur gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.

Gjatë takimit të 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të mëtejme për propozimin e BE-së, që ata kanë pranuar shtatorin e kaluar.

Pas takimit, Vuçiq deklaroi se për shtetin e tij më i rëndësishëm është themelimi i Asociacionit, që kundërshtohet nga Kurti.

BE-ja tha se tani u mbetet palëve që të punojnë në planin e zbatimit, në mënyrë që gjatë marsit të ketë një takim të ri të liderëve për këtë propozim.

XS
SM
MD
LG