Ndërlidhjet

SHBA-ja i dhuron Kosovës mbi 500,000 doza të Pfizerit


Shiringa të mbushura me doza të vaksinës së Pfizerit. Fotografi ilustruese.
Shiringa të mbushura me doza të vaksinës së Pfizerit. Fotografi ilustruese.

Kosova ka pranuar 515,970 doza të vaksinës Pfizer, që janë siguruar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Rifat Latifi, falënderoi SHBA-në për këtë donacion, që në Kosovë erdhi përmes mekanizmit COVAX, që udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Dita e sotme është një moment i rëndësishëm për të rikujtuar se përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të mëdha që pandemia COVID-19 u ka shkaktuar popujve anembanë botës, kanë zbuluar edhe vlerat më të mëdha që kanë popujt, siç janë solidariteti dhe mbështetja në njëri-tjetrin, duke krijuar një aleancë të fuqishme njerëzore. Një aleancë e tillë është edhe kjo e organizuar përmes mekanizmit COVAX, që e ka bërë luftën tonë kundër COVID-19 definitivisht më të lehtë”, tha Latifi në ceremoninë për pranimin e vaksinave në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Latifi tha se vetëm përmes vaksinimit, Kosova mund t'i kthehet plotësisht normalitetit, andaj u bëri thirrje qytetarëve që të imunizohen kundër koronavirusit.

Ky nuk është donacioni i parë i vaksinave që SHBA-ja i ka dhuruar Kosovës. Vitin e kaluar, Uashingtoni dërgoi në Prishtinë një donacion prej mbi 500,000 dozash të kompanisë farmaceutike amerikane, Pfizer, përmes mekanizmit COVAX.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se SHBA-ja është donatorja më e madhe në Kosovë, pasi deri më tani ka dhuruar mbi 1 milion doza të vaksinës.

"Me donacionin e ri të SHBA-së, do të jetë e mjaftueshme për të vaksinuar 30 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës me të dyja dozat", tha Hovenier.

Ai tha se Uashingtoni po ashtu ka mbështetur Kosovën me pajisje mjekësore gjatë pandemisë.

"SHBA-ja vazhdon të jetë e gatshme dhe e përkushtuar për të punuar me Qeverinë e Kosovës në luftën kundër COVID-19. Që të gjithë jemi së bashku në këtë luftë, ne jemi partneri juaj”, tha ambasadori Hovenier.

Heqja e kufizimeve herët mund ta zgjasë pandeminë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:13 0:00

Kosova ka nisur fushatën e imunizimit kundër koronavirusit në fund të marsit të vitit të kaluar, fillimisht me vaksina të dhuruara nga COVAX-i, por edhe nga shtete të tjera. Më pas autoritetet arritën edhe një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion dozave të vaksinës.

Deri më tani në Kosovë me dy doza të vaksinës janë imunizuar 45.11 për qind e popullatës. Në vend ka nisur edhe dhënia e dozave përforcuese dhe atyre të treta.

XS
SM
MD
LG