Ndërlidhjet

SHBA: Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi


Ndërtesa e Kremlinit në Moskë. Fotografi nga arkivi.
Ndërtesa e Kremlinit në Moskë. Fotografi nga arkivi.

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014. Sipas një zyrtari të lartë amerikan, presidenti rus, Vladimir Putin, është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën.

Zyrtari që foli për media, tha se ky është përfundimi i një raporti të komunitetit amerikan të zbulimit, i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit”.

Sipas një burimi me njohuri mbi raportin, Shqipëria është një nga këto vende.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në vitin 2017, përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i Qeverisë amerikane.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por, viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej qindra mijëra dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së, bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

Firma lobuese amerikane ka deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo ka marrë gjithsej tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.

Zyrtari amerikan tha për mediat se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatët dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.

Lajmin e zgjeruar mund ta lexoni te Zëri i Amerikës.

XS
SM
MD
LG