Ndërlidhjet

Gjeorgjia ftohet në samitin e NATO-s pavarësisht Ligjit për “agjentët e huaj”


Ndihmëssekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Fotografi nga arkivi.
Ndihmëssekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Fotografi nga arkivi.

Gjeorgjia ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në ngjarjet e partneritetit në samitin e NATO-s që do të mbahet në Uashington, tha ndihmëssekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Ftesa vjen pas miratimit të Ligjit për “agjentët e huaj” në Gjeorgji më 3 qershor. Ligji kërkon që organizatat joqeveritare dhe mediat, të cilat pranojnë të paktën 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen si organizata që “ndjekin interesat e një fuqie të huaj”.

Gjatë një konference për media, O’Brien dënoi ligjin e miratuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjia, ligj që disa kundërshtarë e quajnë ligj rus dhe e vlerësojnë si largim të Tbilisit nga NATO-ja.

“Dhuna kundër figurave opozitare, dhuna kundër shoqërisë civile, ligji për agjentët e huaj në bazë të Moskës dhe vendimi për t’ia dhënë portin e ri një kompanie kineze janë në kundërshtim me dëshirën për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare me bazë në SHBA dhe Bashkim Evropian”, tha O’Brien.

Në të njëjtën kohë, O’Brien tha se populli gjeorgjian dëshiron integrimin në BE dhe NATO.

“Ne duam që ata ta kuptojnë se rruga në të cilën janë ata dhe retorika që ata po përdorin për Perëndimin është në kundërshtim me asaj që thonë dhe duan 80 për qind e popullit të Gjeorgjisë”, tha ai.

Ligji për “agjentët e huaj” ka rritur shqetësimet në Evropë dhe SHBA. Disa gjeorgjianë kanë shprehur shqetësime se shteti do të përballet me pasoja si pasojë e këtij ligji.

O’Brien kujtoi se pak pasi u miratua ligji, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se çdo person apo entitet që minon rrugën e demokracisë në Gjeorgji do të përballet me pasoja, por ai nuk përmendi se cilat mund të jenë ato.

Të gjitha shtetet partnere të NATO-s janë ftuar që të marrin pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet më 9-11 korrik në Uashington, tha O’Brien, duke shtuar se prioritetet kyçe të samitit përfshijnë “mirëqenien e aleancës, partneritetet në Indo-Paqësor dhe suksesin e Ukrainës” në luftën e saj kundër pushtimit që Rusia nisi më 2022.

XS
SM
MD
LG