Ndërlidhjet

SHBA: Izraeli po kryen operacione të kufizuara në Liban


Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha më 30 shtator se Izraeli ka njoftuar SHBA-në se “është aktualisht duke kryer” disa operacione të kufizuara që kanë në shënjestër Hezbollahun brenda Libanit fqinj.

Hezbollahu është një grup militant dhe një parti politike që kontrollon një pjesë të madhe të Libanit jugor.

“Kjo është ajo që na kanë informuar se janë duke kryer për momentin, operacione të kufizuara që synojnë infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”, u tha gazetarëve Miller.

Më herët gjatë ditës, Izraeli paralajmëroi se mund të dërgojë trupa për ta luftuar Hezbollahun, me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, që deklaroi se "do të përdorim të gjitha mjetet që mund të nevojiten... nga ajri, nga deti dhe në tokë".

Këto komente u bënë në të njëjtën ditë kur ushtria izraelite shpalli disa pjesë të kufirit të saj verior me Libanin si zonë të mbyllur ushtarake, në një veprim që mund të jetë sinjal për një pushtim tokësor të Libanit.

Urdhri kufizon hyrjen dhe daljen nga komunitetet vetëm për forcat ushtarake. Qytetet përfshijnë Metulan, Misgav Amin dhe Kfar Giladin.

Ky urdhër nuk do të thotë domosdoshmërisht se trupat izraelite do ta pushtojnë Libanin menjëherë, pasi që një zonë mund të shpallet zonë e mbyllura ushtarake edhe nëse zbulohet ndonjë kërcënim.

Megjithatë, ushtria izraelite ka përforcuar rëndë forcat përgjatë kufirit me Libanin në ditët e fundit, dhe komandantët kanë thënë se janë të gatshëm të dërgojnë forca nëse qeveria jep urdhrin.

Hezbollahu filloi sulme me intensitet të ulët ndaj trupave izraelite një ditë pasi aleati i tij palestinez, Hamasi - grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja - nisi një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor, që çoi në luftën në Rripin e Gazës.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë politike. Partia politike e Hezbollahut ka vende në parlamentin libanez.

Përplasjet në kufi janë përshkallëzuar shpejt këtë muaj, me Izraelin që ka kryer sulme të shumta në kufi dhe brenda territorit libanez, duke vrarë qindra njerëz, përfshirë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, lëshoi një paralajmërim ndaj Iranit të hënën, vetëm disa ditë pasi një sulm ajror në jug të Bejrutit vrau liderin e grupit libanez Hezbollah, i cili mbështetet nga Teherani.

Netanyahu tha se “nuk ka asnjë vend në Lindjen e Mesme ku Izraeli nuk mund të arrijë”.

Lideri i përkohshëm i Hezbollahut premtoi se grupi do të vazhdojë luftën pas vdekjes së liderit të tij të kahmotshëm, Hassan Nasrallah. Izraeli gjithashtu ka vrarë disa komandantë të tjerë të lartë të grupit në ditët e fundit.

Naim Kassem, në një deklaratë të transmetuar, tha se nëse Izraeli nis një ofensivë tokësore, luftëtarët e Hezbollahut janë të gatshëm. Ai shtoi se komandantët e vrarë tashmë janë zëvendësuar.

Një sulm ajror të hënën në orët e para goditi një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit në atë që ishte hera e parë që kryeqyteti libanez goditet në gati një vit konflikti. Videot tregonin ambulanca dhe turma të mbledhura pranë ndërtesës në një rrugë të frekuentuar tregtare.

Ende nuk është raportuar për përplasje të drejtpërdrejta midis trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut në Liban. Herën e fundit që këta dy armiq u përfshinë në luftë tokësore ishte gjatë një lufte njëmujore në vitin 2006.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG