Ndërlidhjet

Biden dhe Xi do të bisedojnë për ndihmën e mundshme ushtarake të Kinës për Rusinë


Presidenti amerikan, Joe Biden gjatë një bisede me presidentin kinez, Xi Jinping.
Presidenti amerikan, Joe Biden gjatë një bisede me presidentin kinez, Xi Jinping.

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të flasë me telefon më 18 mars me udhëheqësin kinez Xi Jinping, njoftoi Shtëpia e Bardhë, pasi Shtetet e Bashkuara i bëjnë presion Kinës që të mos ofrojë mbështetje për Rusinë në pushtimin e saj në Ukrainë.

“Presidenti Biden do të flasë me presidentin Xi nesër (e premte) dhe do t’ia bëjë të qartë se Kina do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim që do të ndërmarrë për të mbështetur agresionin rus”, tha sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken në një konferencë për shtyp më 17 mars.

Biden dhe Xi gjithashtu do të diskutojnë konkurrencën ekonomike midis dy vendeve, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Kjo është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi midis dy vendeve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Të dy liderët do të diskutojnë menaxhimin e konkurrencës midis dy vendeve tona, si dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, tha Psaki.

Telefonata ishte planifikuar pas takimit në Romë më 14 mars, midis këshilltarit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe këshilltarit të lartë kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi.

Një zyrtar i lartë i administratës së Biden tha se Sullivan ishte i drejtpërdrejtë me Yang në lidhje me “imlikimet dhe pasojat e mundshme” për Kinën nëse i ofron mbështetje Rusisë.

Kina dhe Rusia kanë intensifikuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe në vitet e fundit dhe Kina nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite pushtimin rus të Ukrainës, dhe kjo ka ngritur shqetësime në Uashington.

Ka gjithashtu raporte se Rusia ka kontaktuar Kinën për ndihmë, gjë që Rusia e mohon.

Gjatë takimit të tij me Yang, Sullivan kërkoi më shumë transparencë për qëndrimin e Pekinit në lidhje me Rusinë dhe përsëriti se çdo përpjekje e Kinës për të ndihmuar Rusinë të shmangte sanksionet do të ishte e kushtueshme për qeverinë e Xi Jinping.

Megjithëse lufta në Ukrainë kohët e fundit ka marrë vëmendjen e presidentit Biden, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se ata nuk ia ndajnë sytë Kinës.

XS
SM
MD
LG