Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke nënshkruar ujdinë për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara, më 24 gusht 2023.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke nënshkruar ujdinë për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara, më 24 gusht 2023.

Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Kosova e kanë nënshkruar të enjten një marrëveshje për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacioneve të klasifikuara, e cila u vlerësua si arritje historike nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Marrëveshja SHBA – Kosovë për masat e sigurisë për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori Hovenier, pas një pune dyvjeçare rreth saj, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë më 24 gusht.

“Kjo marrëveshje vë themelin për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Ajo përfaqëson përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara për bashkëpunimin e vazhdueshëm të sigurisë me Kosovën”, tha Hovenier.

Përmes kësaj marrëveshjeje, sipas Ambasadës amerikane, Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë ndërmarrë obligime për t’i mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra-tjetrës, duke e hapur rrugën për shkëmbimin e tyre.

Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë në disa fusha, përfshirë në rritjen e aftësive për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes shkëmbimit të informacioneve me SHBA-në, integrimin e plotë në strukturat e sigurisë Euro-Atlantike, si dhe zhvillimin e suksesshëm të Forcë së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale të suksesshme, shumetnike dhe që operon sikur NATO-ja, sipas Ambasadës amerikane.

Kjo marrëveshje vjen në kohën e duhur, sipas ambasadorit Hovenier, veçanërisht në kontekst me të gjerë të luftës së vazhdueshme prej agresori të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

“Shkurtimisht, kjo marrëveshje pasqyron përkushtimin tonë për synime dhe vlera të përbashkëta, dhe për një të ardhme e cila është më e sigurt për të dy vendet tona”, tha Hovenier.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG