Ndërlidhjet

SHBA ndalon tregtinë me rajonet lindore të Ukrainës


Presidenti amerikan, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që ndalon “investimet e reja, tregtinë dhe financimin e personave amerikanë nga dhe drejt” dy rajoneve në lindje të Ukrainës, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, i ka njohur si entitete të pavarura të hënën, më 21 shkurt, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Ky urdhër do të “ofrojë autoritet për të vendosur sanksione ndaj secilit person që vërtetohet se vepron në këto zona të Ukrainës”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate.

Psaki ka thënë se këto masa janë të ndara nga sanksionet që SHBA-ja dhe aleatët kanë përgatitur nëse Rusia pushton Ukrainën.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar të hënën, 21 shkurt, trupat ruse që të dërgohen në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.

Ky vendim i Putinit ka ardhur disa orë pasi ai ka nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.

Në dekret është thënë se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Ndërkohë që Putin ka pasur adresimin, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë cituar trupat qeveritare të Ukrainës të kenë thënë se në vijën e parë të frontit në lindje të Ukrainës, janë rritur të shtënat me armë të rënda nga separatistët.

A do ta tërheqë Rusia këmbëzën?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:08:16 0:00

Putin ka bërë supozime gjatë fjalimit – pa ofruar të dhëna – se Ukraina po synon të ketë armë bërthamore, se gjuha ruse është margjinalizuar në Ukrainë dhe se ka plane të paspecifikuara për të eliminuar Kishën Ortodokse Ruse atje.

Ai ka thënë se Ukraina është “kukull e regjimit” të udhëhequr nga fuqitë e huaja dhe e mbushur me klane të oligarkëve.

Presidenti rus po ashtu ka thënë se NATO-ja ka “injoruar plotësisht” kërkesat e Moskës për siguri, në të cilat është përfshirë edhe ajo që Ukraina të mos bëhet pjesë e aleancës dhe për heqjen e armëve të NATO-s dhe pajisjeve tjera nga shtetet e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore.

Putin ka nënshkruar dokumentet dhe i ka kërkuar Parlamentit rus që të ratifikojë vendimin sa më shpejt që është e mundur.

Ai e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se “jam i sigurt se do të kem mbështetjen e popullit rus”.

Kjo gjë mund të jetë vendimtare për Evropën, teksa Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt.

Perëndimi thotë që më shumë se 150,000 trupa ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.

Ukrainës i premtohet përgjigje e shpejtë

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden ka telefonuar homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky për të dënuar veprimin e Rusisë për të njohur rajonet separatiste në lindje të Ukrainës.

Biden ka biseduar me të për “të rikonfirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Ai i ka thënë presidentit ukrainas se SHBA-ja planifikon të vendosë sanksione dhe se do të përgjigjet “shpejt dhe me vendosmëri, bashkë me aleatët dhe partnerët” ndaj agresionit të mëtejmë nga Rusia”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden ka zhvilluar biseda telefonike edhe me presidentin Francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjermane, Olaf Scholz për të diskutuar rreth koordinimit të përgjigjes.

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar po ashtu vendimin e Putinit.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbesin plotësisht mbështetëse të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG