Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “sanksionet më të ashpra në histori” ndaj Teheranit dhe sugjeroi se planet për të rritur presionin ekonomik nënkuptojnë se sulmet e mëdha ushtarake amerikane ndaj Iranit ka pak gjasa të rifillojnë së shpejti.
“Është një goditje e dyfishtë. Kemi bllokadën [ndaj porteve iraniane] dhe do të kemi sanksionet më të ashpra në histori”, tha Bessent për rrjetin amerikan CNBC më 20 gusht. “Kjo do të funksionojë në Iran dhe ne do ta rrëzojmë këtë regjim”.
Komentet e Bessent erdhën një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Iranin me “luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të jashtëzakonshme” dhe paralajmëroi se çdo shtet që i ofron mbështetje Iranit do të përballet me pasoja të rënda ekonomike.
Përveç presionit ndaj Teheranit, “ÇDO shtet që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet ose entitetet qeveritare të ofrojnë çfarëdo lloj mbështetjeje jetike për Iranin, do të përballet vetë me PASOJA TË JASHTËZAKONSHME ekonomike”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social në orët e vona të 19 gushtit.
“Ky do të jetë izolimi më i madh ekonomik i koordinuar në historinë e botës”, tha Bessent. “Dhe ne do t’u themi [aleatëve] se jeni ose me ne, ose kundër nesh”.
As Trumpi, as Bessent nuk dhanë shumë detaje.
Bessent i tha CNBC-së se më 24 gusht do të mbajë një konferencë për media “për të folur saktësisht për atë që do të bëjmë”.
Teksa çmimet e naftës u rritën më 20 gusht, Bessent tha se beson se tregjet e naftës po “e keqinterpretojnë atë që nënkupton ky presion ekonomik. Nëse po ushtrojmë presionin maksimal ekonomik, atëherë kjo do të thotë se ka gjasa që të mos ketë rifillim të një operacioni kinetik në shkallë të gjerë”.
“Kinetik”, në këtë kontekst, i referohet veprimit ushtarak.
Paralajmërimet e Trumpit erdhën përmes një postimi në rrjetet sociale, në të cilin ai tha se Teherani ka dështuar të arrijë një marrëveshje me SHBA-në.
Ky postim erdhi disa orë pasi Trumpi tha se negociatat me Iranin mund të rifillonin “në një pikë”, por u shpreh i kënaqur me gjendjen aktuale, duke thënë: “Për momentin, mendoj se situata është shumë e mirë”.
Këto zhvillime vijnë pas skadimit të periudhës 60-ditore të negociatave, të përcaktuar në bazë të një memorandumi mirëkuptimi mes SHBA-së dhe Iranit, të nënshkruar në qershor. Memorandumi synonte të krijonte një kornizë për përfundimin e konfliktit, parandalimin që Irani të kishte një armë bërthamore dhe rikthimin e lirisë së lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Shtetet e Bashkuara thonë se Irani e shkeli marrëveshjen e qershorit duke sulmuar anije tregtare në ngushticë gjatë korrik, duke nxitur rifillimin e veprimeve ushtarake amerikane. Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit nisi më 28 shkurt.