Ndërlidhjet

SHBA-ja sanksionon rrjetin e financimit të Hezbollahut


Pjesëtarë të Hezbollahut duke mbajtur flamurin e tyre në dorë. Fotografi nga arkivi.
Pjesëtarë të Hezbollahut duke mbajtur flamurin e tyre në dorë. Fotografi nga arkivi.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Thesarit, kanë vendosur sanksione ndaj më shumë se 50 individëve dhe subjekteve, për financim të milicisë shiite të Libanit, Hezbollah.

Thesari amerikan ka thënë se ka shenjëstruar “një rrjet të madh ndërkombëtar të individëve dhe subjekteve” që kanë pastruar para dhe i kanë ikur tatimit “në të mirë të financimit të Hezbollahut dhe terroristit global, Nazem Said Ahmad”.

Biznesmeni lebanez është sanksionuar në dhjetor të vitit 2019 për ofrim të mbështetjes për Hezbollahun, grup pro Iranit.

Thesari amerikan ka thënë se rrjeti global përfshin individë dhe kompani në disa shtete, përfshirë Libanin, Afrikën e Jugut, Belgjikën dhe Britaninë.

“Këta individë të përfshirë në rrjet, kanë përdorur kompani dhe skema mashtrimi për të fshehur rolin e Nazem Said Ahmadit në transaksione financiare”, ka thënë Sekretari i Thesarit amerikan, Brian Nelson.

Departamenti amerikan i Shtetit, ka përsëritur se ofron shpërblim prej 10 milionë dollarëve, në këmbim të informacioneve për mekanizmat e financimit të Hezbollahut.

Secili aset në Shtetet e Bashkuara, që u takon personave të sanksionuar, tani ngrihet, dhe shtetasve amerikanë u ndalohet bërja e biznesit me këta persona.

Qeveria amerikane e konsideron Hezbollahun organizatë terroriste.

XS
SM
MD
LG