Ndërlidhjet

Emisari i SHBA-së në NATO: S’ka mjaftueshëm sisteme Patriot për të përmbushur kërkesën

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.
Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, paralajmëroi se kërkesa globale për raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot është “më e madhe sesa kapaciteti për furnizim me to” dhe se Uashingtoni dhe aleatët e tij do të duhet të “mobilizohen maksimalisht” për ta mbështetur Ukrainën.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 18 shtator, Whitaker tha se mjedisi gjithnjë e më i rrezikshëm ndërkombëtar po çon në mungesë të raketave penguese Patriot, dhe se kapacitetet prodhuese nuk po arrijnë ta përmbushin kërkesën.

“Ukrainasit, sigurisht po punojnë shumë, përveç gjithçkaje që ne po bëjmë sa u përket Patriotëve, për të krijuar disa kapacitete sovrane, disa pengues të prodhuar nga ta. Ka një mundësi edhe në këtë drejtim”, tha Whitaker.

Por, shtoi ai, aktualisht “kërkesa është më e madhe se furnizimi dhe ne do të duhet të mobilizohemi maksimalisht, si Shtete të Bashkuara, por edhe më e rëndësishmja, si aleatë, dhe të gjejmë një mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten gjatë dimrit”.

Komentet e Whitaker vijnë pas deklaratave të fundit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Ukrainës i nevojiten rreth 300 raketa PAC-3 Patriot për ta përballuar stinën e dimrit.

Shteti është përballur me bombardime intensive ajrore ruse gjatë muajve dhe javëve të fundit, teksa Zelensky ka kërkuar vazhdimisht më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë.

Konflikti i SHBA-së me Iranin ka pakësuar rezervat e Uashingtonit të sistemeve Patriot, të cilat janë përdorur për të mbrojtur forcat amerikane dhe aleatët në Gjirin Persik nga sulmet iraniane me raketa balistike. Patriotët janë armët e vetme efektive kundër raketave balistike dhe hipersonike ruse.

I pyetur se sa raketa penguese PAC-3 Patriot mund të presë Ukraina që të marrë këtë vit, Whitaker tha se ai ishte “ndoshta personi i gabuar për t’u pyetur” për këtë çështje, por se po “punoj me të gjithë aleatët tanë për të gjetur raketa të disponueshme Patriot që mund t’u jepen ose t’u shiten ukrainasve”.

S’ka zgjidhje të shpejtë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Ukraina mund të prodhojë Patriotë në bazë të një licence, por ambasadori Whitaker vuri në pah se kjo nuk do të ishte një zgjidhje e shpejtë.

“Ne po punojmë për të gjitha detajet e ndërlikuara lidhur me licencat e eksportit, kompanitë që kontrollojnë pronën intelektuale dhe se si do të dukej konkretisht prodhimi. Dua të them, kjo ende nuk do ta zgjidhë problemin e këtij dimri. Do ta zgjidhë problemin afatgjatë”, tha ai.

Whitaker e bëri këtë deklaratë në Samitin e Mbrojtjes në Pragë, një takim treditor i politikanëve të lartë, zyrtarëve ushtarakë dhe drejtuesve të industrisë së mbrojtjes, i organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), në kryeqytetin çek.

Edhe pjesëmarrës të tjerë në konferencë diskutuan për mungesën në nivel global të sistemeve Patriot.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, i tha REL-it se vendi i tij nuk ka raketa për të dhënë, por po negocion me “vende të tjera jashtë hapësirës euroatlantike që mund të ofrojnë gjithashtu, për shembull, PAC-3”.

Ai nuk pranoi të tregonte se për cilat vende bëhet fjalë, por dihet se shtete si Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë rezerva. Jonson vuri në pah po ashtu “bisedimet që po zhvillohen” mes kompanisë suedeze Saab dhe prodhuesit amerikan Lockheed Martin për prodhimin e përbashkët të raketave PAC-3.

Polonia njoftoi së voni për një paketë të re ndihme që do të përfshijë sisteme Patriot për Ukrainën. Por, detajet për këtë mbeten të paqarta.

“Afati? Shumë shpejt. Numrat janë të klasifikuar. Nuk do të jetë një numër shumë i madh, por do të ofrojmë aq sa mundemi”, tha gjenerallejtënant Krzysztof Krol, këshilltar i lartë i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Polonisë.

“Dhe e dimë se, duke marrë parasysh Poloninë, që është një shtet në vijën e parë, edhe shtetet e tjera do të na ndjekin”, shtoi ai.

Kur Krol foli për REL-in më 17 shtator, sirenat paralajmëruese për sulme ajrore u aktivizuan në Poloninë lindore dhe aeroplanët ushtarakë u ngritën pas sulmeve me dronë rusë në Ukrainën perëndimore, të cilat u afruan pranë kufirit polak.

Në Varshavë, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se Rusia po planifikon sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën. Ky ishte një nga paralajmërimet gjithnjë e më urgjente për agresionin rus, mes raportimeve në rritje për luftë hibride, si sulmet kibernetike dhe sabotimi në Evropë.

“Polonia, natyrisht, është përgjegjëse për më shumë se 90 për qind të të gjitha furnizimeve për Ukrainën, [për] ushtrinë që zhvillon luftën. Pra, gjithçka që bëjmë në Poloni është po ashtu nën kërcënimin e shërbimeve speciale ruse”, tha Krol, i cili bëri thirrje për një përgjigje më të ashpër të NATO-s.

“Rusia do ta testojë gatishmërinë tonë, përgatitjen tonë, kapacitetet tona”, tha ai. “Nëse Rusia shkel të drejtën ndërkombëtare, nuk shoh ndonjë problem nëse NATO-ja reagon më agresivisht. Nuk duhet të jetë telashe e madhe”.

Kërcënimi hibrid

Whitaker po ashtu foli për kërcënimin hibrid.

“Goditja e parë e një konflikti të ardhshëm nuk do të jetë kalimi i ushtarëve përtej një kufiri ndërkombëtar. Do të jetë një sulm hibrid, do të jetë një sulm ndaj infrastrukturës kritike”, tha ai.

Deri tani, shtoi ai, përgjigjja e NATO-s ka qenë mjaftueshëm e fuqishme, sepse veprimet e Rusisë kanë qenë nën pragun e kërkuar për aktivizimin e Nenit 5 të traktatit të aleancës, sipas të cilit, një sulm ndaj ndonjërit anëtar të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve.

“Do të imagjinoja se, nëse jemi diku pranë Nenit 5, bëhet fjalë për një aktivitet hibrid katastrofik, që në thelb do të ishte një akt lufte. Dhe ne thjesht nuk jemi aty tani”, tha ai.

Whitaker nuk pranoi të komentojë nëse ka parë informacione të inteligjencës për llojin e planeve ruse për sulme, për të cilat kishte folur Tusk një ditë më parë.

“Nuk mund të flas për inteligjencën amerikane apo atë të aleatëve, por duhet të jemi më vigjilentë dhe më të përgatitur”, tha ai, duke lavdëruar Poloninë për investimet në forcat e saj të armatosura. “Ata janë të qartë dhe seriozë për sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen në krahun lindor”.

XS
SM
MD
LG