Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe talibanët nënshkruajnë marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Afganistan


I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalizad dhe zyrtari taliban, Mullah Abdul Ghani Baradar nënshkruajnë marrëveshjen e paqes.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalizad dhe zyrtari taliban, Mullah Abdul Ghani Baradar nënshkruajnë marrëveshjen e paqes.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar marrëveshje historike, që ka për qëllim dhënien fund të konfliktit në Afganistan.

SHBA-ja është pajtuar që të tërheqë trupat nga Afganistani brenda 14-muajsh, nëse militantët talibanë i përmbahen marrëveshjes.

Ky pakt është arritur pas nëntë raundeve të bisedimeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në Katar.

Aktualisht, në Afganistan janë 13 mijë trupa amerikane.

Talibanët po ashtu janë zotuar se do të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe liderët talibanë, ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Doha të Katarit.

"Ne ende jemi në fillim", tha sekretari Pompeo para nënshkrimit të marrëveshjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

"Ulja e konsiderueshme e dhunës do të krijojë kushte për paqe", tha ai.

Sekretari Pompeo shtoi se afganët duhet të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe të respektojnë të drejtat e grave, teksa SHBA-ja duhet të sigurohet se nuk do të ketë kërcënim terrorist nga ky vend.

*Video nga arkivi: Fundi i luftës më të gjatë amerikane?!

Fundi i luftës më të gjatë amerikane?!
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:12 0:00

Duke folur në Kabul, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper tha se SHBA-ja nuk do të hezitojë ta anulojë marrëveshjen, nëse talibanët nuk i përmbahen asaj.

"Nëse talibanët i përmbahen marrëveshjes, SHBA-ja do të nisë reduktimin e forcave", tha ai, duke e quajtur arritjen e kësaj marrëveshjeje "një moment të rëndësishëm në procesin e paqes".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kjo marrëveshje është “hapi i parë drejt paqes së qëndrueshme”.

“Rruga drejt paqes është e gjatë dhe e vështirë. Ne duhet të përgatitemi për pengesa, nuk ka rrugë të letë të paqes, por ky është një hap i parë i rëndësishëm”, tha Stoltenberg për gazetarët në Kabul.

Bashkimi Evropian mirëpriti marrëveshjen e paqes duke thënë se këto janë “hapat e parë të rëndësishëm” drejt zgjidhjes së përhershme të konfliktit në Afganistan.

“Mundësia e tanishme për të ecur drejt paqes nuk duhet të shpërdorohet”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell përmes një deklarate, duke shtuar se “pa vonesë”, duhet që të gjitha fraksionet politike dhe grupet e shoqërisë të përfshihen në negociata.

“Konflikti ka nevojë për një zgjidhje politike që respekton të drejtat e njeriut, të dretjat e grave dhe adreson të gjitha çështjet”, tha ai.

Sipas marrëveshjes, talibanët janë pajtuar që të ndalin sulmet dhe të mos lejojnë grupin terrorist, Al-Kaida që të operojë në zonat që ata kontrollojnë.

Anëtarët e delegacionit të talibanëve. Katar, 29 shkurt, 2020.
Anëtarët e delegacionit të talibanëve. Katar, 29 shkurt, 2020.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen një javë pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja dhe talibanët u pajtuan që të reduktojnë dhunën.

Deri më tani, talibanët kishin refuzuar që të zhvillonin bisedime direkte me Qeverinë afgane, duke e quajtur atë “kukull” të Perëndimit.

Mirëpo tani, pasi që talibanët pritet të përfshihen në bisedime me liderët afganë, Pompeo ka pasur një porosi:

“Ushtroni durim edhe kur ka zemërim. Nderoni llojllojshmërinë e shtetit tuaj dhe bëni vend për të gjitha pikëpamjet. Qeveritë afganë në të kaluarën kanë dështuar sepse nuk ka pasur mjaftueshëm gjithpërfshirje”.

Ai ka bërë këto deklarata meqë bisedimet ndërmjet Qeverisë afgane dhe talibanëve ende duket se do të jenë të vështira që të mbahen, pasi shumë persona në Kabul dyshojnë në sinqeritetin e ekstremistëve dhe aftësisë së tyre për të kontrolluar të gjithë luftëtarët e grupeve militante.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja pushtuan Afganistanin në vitin 2001 dhe larguan nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Që atëherë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

Më 28 shkurt, presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se marrëveshja me talibanët është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në Afganistan.

"Nëse talibanët dhe Qeveria e Afganistanit u përmbahen zotimeve të tyre, ata do të kenë në rrugë të fuqishme drejt dhënies fund të luftës në Afganistanit dhe kthimit në shtëpi të trupave tanë”, tha Trump.

“Këto zotime paraqesin një hap të rëndësishëm për paqe të qëndrueshme në Afganistanin e ri, të çliruar nga Al-Kaida, Shteti Islamik dhe çdo grup tjetër terrorist që do të dëshironte të na shkaktonte dëm”, tha Trump.

Në shtator të vitit 2019, Trump papritur kishte anuluar ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me talibanët që ishte paraparë të mbahej në Kampin David, në Meriland, pas një serie sulmesh të kryera nga talibanët.

Megjithatë, bisedimet rinisën në Katar, të cilat u udhëhoqën nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Zalmay Kahlizad.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG