Ndërlidhjet

SHBA-ja thotë se Rusia planifikon sulme në Ukrainë në prag të Ditës së Pavarësisë


Zjarrfikësit së bashku me ekipet e shpëtimit, ushtrinë dhe policinë punojnë në vendin e sulmit me raketa ruse në qendër të qytetit Vinnytsia, Ukrainë. 14 korrik 2022.
Zjarrfikësit së bashku me ekipet e shpëtimit, ushtrinë dhe policinë punojnë në vendin e sulmit me raketa ruse në qendër të qytetit Vinnytsia, Ukrainë. 14 korrik 2022.

Ukraina tha se Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhjas, shtëpia e centralit më të madh bërthamor në Evropë, ku luftimet e fundit kanë shkaktuar frikë për një incident katastrofik bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se Moska po planifikon sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare, që përkojnë me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës është më 24 gusht. Nesër bëhen gjashtë muaj prej kur nisi pushtimi i paprovokuar rus, pra më 24 shkurt.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 23 gusht se forcat ruse vazhduan të lëshonin raketa dhe predha artilerie në qytetet ukrainase, duke goditur vendbanimet Nikopol, Krivyi Rih dhe Synelnykovsky, të gjitha afër uzinës bërthamore të Zaporizhjas.

Guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenko, shkroi në Telegram se të paktën katër persona u plagosën në sulmet që ndodhën gjatë natës.

Në deklarata të ndara, Ambasada e SHBA-së në Kiev dhe një zyrtar amerikan paralajmëruan për planet ruse për të goditur infrastrukturën civile dhe qeveritare ditët në vijim.

Një zyrtar amerikan paralajmëroi se Rusia po planifikon të nisë së shpejti sulme të reja kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës, pasi Kievi ndaloi festimet publike të Ditës së Pavarësisë këtë javë, duke përmendur një kërcënim të shtuar të sulmeve nga Moska.

“Ne kemi informacione se Rusia po shton përpjekjet për të nisur sulmet kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare të Ukrainës në ditët në vijim”, citohet të ketë thënë zyrtari i paidentifikuar për Reuters.

“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile”, tha zyrtari, duke shtuar se deklarata e tij bazohej në disa informacione të inteligjencës së SHBA-së.

Paralajmërimi i tij u bë pasi autoritetet ukrainase ndaluan festimet publike në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në shënimin e 31-vjetorit të pavarësisë nga sundimi sovjetik, duke përmendur një kërcënim të shtuar nga sulmet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia këtë javë mund të bëjë "diçka shumë të keqe, diçka shumë mizore".

Edhe shërbimi inteligjent i Ukrainës ka paralajmëruar për një rritje të mundshme të sulmeve të hakerëve në faqet ukrainase më 24 gusht.

Luftimet pranë Zaporizhjas kanë shkaktuar frikë për një aksident bërthamor.

Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mbajë mbledhje më 23 gusht për situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas. Kështu ka thënë zëvendësambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, RIA.

Pothuajse 9.000 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase janë vrarë gjatë luftës kundër Rusisë, tha më 22 gusht shefi i forcave të armatosura të Ukrainës. Këto janë shifra të prezantuara nga gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhnyi.

Të dyja palët në luftë kanë qenë jashtëzakonisht të kujdesshme në zbulimin e ndonjë shifra të viktimave që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.

Herën e fundit që zyrtarët ukrainas njoftuan humbje në forcat e armatosura ishte në prill, kur presidenti Volodymyr Zelensky tha se deri në 3.000 ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe 10.000 u plagosën.

Moska, ndërkohë, i klasifikon vdekjet ushtarake si sekrete shtetërore dhe rrallë herë ka përditësuar shifrat e saj zyrtare të viktimave. Më 25 mars, hera e fundit që u dhanë shifrat zyrtare, tha se 1.351 ushtarë rusë ishin vrarë.

Zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar humbjet ruse në afro 45.500 trupa.

XS
SM
MD
LG