Ndërlidhjet

Guterres: Krimet e supozuara të luftës në Ukrainë duhet të hetohen


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se ai është i shqetësuar lidhur me raportimet për krime të supozuara lufte në Ukrainë, duke shtuar se kërkohen hetime të pavarura për këto pretendime.

Guterres, që po qëndron në vizitë në Moskë tha se Kombet e Bashkuara janë të gatshme që të mobilizojnë burimet e këtij institucioni për të shpëtuar jetë dhe për të evakuuar qytetarë nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupolit.

“Ne urgjentisht kemi nevojë për korridore humanitare që vërtetë janë të sigurta dhe efektive”, tha Guterres në një konferencë të përbashkët për media me Lavrovin.

“Mijëra civilë kanë nevojë për ndihmë humanitare”, shtoi ai.

Mariupoli, që është qyteti që është goditur më së shumti nga bombardimet ruse që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, sipas Kremlinit “është çliruar”. Por, Kievi thotë se 1,000 civilë dhe luftëtarë vazhdojnë të jenë të bllokuar në fabrikën e hekurit dhe çelikut Azovstal.

Guterres tha se bisedimet me Lavrovin ishin “të sinqerta”.

“Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar për të gjetur mënyra në mënyrë që të krijojmë kushtet për një dialog efektiv, për të krijuar kushtet për një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, për të krijuar kushtet për një zgjidhje paqësore”, deklaroi Guterres teksa nisi takimin me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Pas takmit me Lavrov, Guterres do të takohet me Putinin në Kremlin.

Pas vizitës së tij në Rusi, shefi i OKB-së do të udhëtojë përmes Polonisë në Ukrainë, ku pritet të takojë presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky.

Së fundi është rritur presioni ndaj Guterres për të pasur rol më aktiv në dhënien fund të konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës.

Perëndimi ka dënuar ashpër këtë vendim dhe ka vënë sanksione të pashembullta ndaj Moskës.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra njerëz dhe miliona tjerë kanë ikur nga Ukraina.

XS
SM
MD
LG