Ndërlidhjet

Shefi i Wagner-it i bën thirrje Kremlinit ta shqyrtojë dhënien fund të luftës


Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka shkaktuar bujë me një postim në Telegram për atë që potencialisht mund të jetë fund i luftës në Ukrainë.

Shumë media ukrainase i kanë kushtuar vëmendje pjesës së tekstit të 61-vjeçarit, në të cilin është thënë: “Pushteti dhe shoqëria, sot duhet të vendosë ndalesë në operacionin special ushtarak”, transmeton agjencia e lajmeve dpa.

Edhe pas më shumë se një viti të luftës, Rusia ende i referohet luftës në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

Prigozhin, i cili e ka postuar këtë tekst të premten në Telegram, ka shtuar se “varianti ideal do të ishte që të përfundonte operacioni special ushtarak dhe Rusia të shpallte se i ka arritur të gjitha synimet e planifikuara – dhe në njëfarë mënyrë i kemi arritur ato”.

Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, mirëpo nuk ka arritur të depërtojë në Kiev dhe qytete tjera të mëdha.

Forcat ruse kanë pushtuar pjesë në lindje dhe jug të Ukrainës, përfshirë edhe Gadishullin e Krimesë, të cilin e kanë aneksuar më 2014.

“Për Rusinë, gjithmonë ekziston rreziku që situata në front të përkeqësohet, pas nisjes së kundërofensivës”, ka shtuar Prigozhin.

Ekspertët presin që kundërofensiva ukrainase të nisë në javët në vijim.

Megjithatë, Prigozhin - mercenarët e të cilit janë duke luftuar tani për qytetin lindor të Bahmutit - është deklaruar kundër negociatave që do të nënkuptonin heqjen dorë nga territoret ukrainase që tashmë i kanë pushtuar forcat ruse.

XS
SM
MD
LG