Ndërlidhjet

Shifra rekorde të njerëzve “që do të kenë nevojë për ndihmë vitin e ardhshëm”


Një grua me fëmijën e saj në Pakistan. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një grua me fëmijën e saj në Pakistan. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kombet e Bashkuara kanë parashikuar se një rekord prej 339 milionë njerëzve do të kenë nevojë për ndihmë humanitare vitin e ardhshëm.

Zyra e OKB-së për Ndihmë Emergjence (OCHA) është duke u kërkuar shteteve donuese rreth 51.5 miliardë dollarë, një rritje prej 25 për qind, në krahasim me fillimin e vitit 2022.

“Nevoja për ndihmë humanitare është shumë e lartë, pasi ngjarjet ekstreme të këtij viti do të lënë gjurmë më 2023”, ka thënë koordinatori i OKB-së, për ndihma, Martin Griffiths.

“Thatësirat dhe vërshimet po bëjnë kërdi në Pakistan dhe Afrikë. Lufta në Ukrainë e ka kthyer një pjesë të Evropës në fushëbetejë. Më shumë se 100 milionë njerëz janë të zhvendosur në gjithë botën. Dhe e gjithë kjo përcillet me shkatërrimin që ka lënë mbrapa pandemia e koronavirusit në shtetet më të varfra në botë”.

OCHA ka thënë se të paktën 22 milionë njerëz në 54 shtete përballen me pasiguri të mëdha ushqimore, derisa 45 milionë njerëz në 37 shtete rrezikojnë të përballen me uri.

Ndryshimet klimatike, nevojat shëndetësore dhe pabarazia gjinore janë duke e rënduar edhe më shumë situatën, ka thënë OKB.

XS
SM
MD
LG