Ndërlidhjet

Kryetari i opozitës maqedonase pretendon se një protestues ka tentuar ta vrasë


Pankarta me fytyrat e deputetëve të pozitës, e vendosur nga protestuesit para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është djegur nga vetë ata. Shkup, 6 korrik 2022.
Pankarta me fytyrat e deputetëve të pozitës, e vendosur nga protestuesit para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është djegur nga vetë ata. Shkup, 6 korrik 2022.

Mijëra qytetarë janë mbledhur të mërkurën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në ditën e pestë të protestave kundër propozimit francez, përmes të cilit synohet të tejkalohen disa mospajtime mes Shkupit dhe Sofjes, që do t'i hapnin rrugë integrimit të mëtejshëm evropian të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë protestave, një person ka gjuajtur me armë zjarri në ajër.

Kryetari i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, i cili ka marrë pjesë në protestë, ka pretenduar se personi në fjalë ka dashur ta vrasë.

Ai ka publikuar një fotografi në profilin e tij në Facebook, ku ka shkruar se “ky është personi që ka dashur të më vrasë sonte".

"Kërkoj që urgjentisht të ndalohet nga Spasovski [ministri i Brendshëm] dhe Ministria e Punëve të Brendshme", ka shkruar Mickovski, por pa ofruar ndonjë provë për pretendimet e tij.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ka arrestuar personin, për të cilin kryetari i opozitës ka thënë se ka tentuar ta vrasë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Partitë në pushtet kanë akuzuar Mickovskin për skenar të prishjes së raporteve ndëretnike.

Protestat kundër propozimit francez mbështeten nga opozita maqedonase.

Protestuesit në Shkup e vendosin para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pankartën me fytyrat e deputetëve të shumicës parlamentare, në të cilën shkruhet "Tradhtarë të popullit ". Shkup 6 korrik 2022.
Protestuesit në Shkup e vendosin para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pankartën me fytyrat e deputetëve të shumicës parlamentare, në të cilën shkruhet "Tradhtarë të popullit ". Shkup 6 korrik 2022.

Nën brohoritjet “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, pankarta e vendosur nga protestuesit para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është djegur nga vetë ata.

Protestuesit nën moton “Ultimatum. Jo, faleminderit” kanë kërkuar që Qeveria të hedhë poshtë propozimin francez, duke brohoritur “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.

Protestuesit, të cilët janë nisur nga objekti i ekzekutivit në Shkup, kanë kaluar përmes Sheshit Skënderbe dhe janë ndalur para Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kanë gjuajtur gjësende të forta, si dhe kanë brohoritur shprehje nacionaliste ndaj shqiptarëve.

Në gjithë Shkupin është vërejtur prani e shtuar e forcave speciale, veçanërisht para institucioneve shtetërore.

Të gjitha hyrje-daljet e rrugëve para Qeverisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Kuvendit janë bllokuar një orë para fillimit të protestave.

Prania e shtuar e forcave policore vjen pasi protestat e së martës kanë eskaluar në dhunë dhe, si rrjedhojë, 47 policë kanë mbetur të lënduar, dy nga të cilët në gjendje të rëndë.

Protestuesit vendosin lule në rrethojat e Kuvendit të Maqedonisë V. Shkup, 6 korrik 2022.
Protestuesit vendosin lule në rrethojat e Kuvendit të Maqedonisë V. Shkup, 6 korrik 2022.

Deri tani janë ndaluar 11 persona, dy prej të cilëve janë të mitur.

Policia maqedonase ka bërë të ditur se po vazhdon identifikimi i personave të tjerë, të cilët kanë qenë të përfshirë në demolimin e institucioneve të shtetit dhe kanë sulmuar policët.

Dita e pestë e protestave kundër propozimit francez. Shkup, 6 korrik 2022.
Dita e pestë e protestave kundër propozimit francez. Shkup, 6 korrik 2022.

Aktet e dhunshme i kanë dënuar presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Partitë maqedonase në opozitë, VMRO DOMNE dhe Majta, kanë dalë kundër propozimit francez, pasi, siç thonë ato, "nëse i njëjti nuk pëson ndryshime, rrezikohet gjuha dhe identiteti maqedonas".

Partia e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe të gjitha partitë shqiptare në këtë vend, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Alenca për Shqiptarët, mbrojnë qëndrimin se ky propozim garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

XS
SM
MD
LG