Ndërlidhjet

Shoqëria civile nuk e pranon ulësen në ekipin negociator


Ekipi negociator, foto nga arkivi
Ekipi negociator, foto nga arkivi

Duke konsideruar se janë të pabarabartë me anëtarët e tjerë të ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, pjesëtarët e shoqërisë civile kanë vendosur që të mos bëhen pjesë e këtij ekipi.

Ndonëse me Ligjin për dialog, të miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, shoqërisë civile i është rezervuar një ulëse, megjithatë askush nga shoqëria civile nuk është bërë pjesë e këtij ekipi.

Mirëpo, qysh në fillim, anëtarë të shoqërisë civile, kanë dërguar vërejtjet e tyre për Ligjin për Dialogun, që konsiderohet antikushtetues.

Sipas Jeta Krasniqit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në Ligjin për delegacionin shtetëror mungon pjesa e përzgjedhjes së anëtarit të shoqërisë civile duke e venë në pozitë më ndryshe me anëtarët e tjerë të këtij ekipi.

“Nuk është e qartë, nuk ka transparencë apo nuk është qartazi edhe në ligj e përcaktuar si do bëhet përzgjedhja. Në fakt në ligj thuhet që do të nominohet nga dy krerët e delegacionit, ose nëse s’ka dakordim mes tyre atëherë do të votohet edhe nga pjesa tjetër e delegacionit. Pavarësisht se si përzgjidhet një anëtar i shoqërisë civile në këtë delegacion, në mënyrën që është paraparë aty, nuk do të thotë që përfaqëson të gjithë shoqërinë civile të Kosovës”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se problemet për përzgjedhjen e anëtarit të shoqërisë civile fillojnë tek projektligji. Sipas tij, mënyra se si rregullohet përzgjedhja e këtij anëtari e bën atë automatikisht të pabarabartë me anëtarët tjerë të delegacionit shtetërorë dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile nuk do ta kishte peshën e njëjtë në delegacion.

“Përderisa anëtarët e delegacionit shtetëror janë votuar në Kuvend e kanë marrë legjitimitetin nga Kuvendi dhe mund të shkarkohen nga Kuvendi, anëtari i shoqërisë civile mund të përzgjidhet nga delegacioni shtetërorë. Pra, anëtarin e shoqërisë civile e përzgjedh delegacioni shtetërore, dhe mund ta lirojë nga puna po i njëjti delegacion. Pra, anëtari i shoqërisë civile në këtë delegacion nuk është i barabartë me anëtarët e tjerë”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Kryeziu thotë se nuk ka dhe nuk ka pasur deri tash një vullnet që të plotësohet kjo ulëse.

“Delegacioni është formuar me qëllimin dhe arsyen se do të krijohet një trup gjithë përfshirës që ofron pajtueshmëri politike sociale, prandaj është ftuar edhe një anëtarë i shoqërisë civile, të paktën parashihet të jetë një anëtar i shoqërisë civile”, thotë Kryeziu.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI, thotë se shoqëria civile ka mënyrë se si i përzgjedh anëtarët e saj. Fillimisht, përzgjedhja shkon përmes nominimit dhe votimit nga shoqëria civile, e pastaj votimi në Kuvendin e Kosovës.

“Ky anëtar i shoqërisë civile në delegacion të mos jetë vetëm sa për të përmbushur në mënyrë sipërfaqësore një kriter, por në fakt konsultimi me shoqërinë civile të jetë prezent në çdo fazë, për të ofruar shoqëria civile opinionin e saj, qëndrimet e saj, kritikat konstruktive dhe për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien”, thotë Krasniqi.

Ekipi negociator, që bashkë-udhëhiqet nga kryetari i Nismës Social Demokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, qysh prej krijimit të ekipit negociagtor, i kanë bërë thirrje shoqërisë civile që të bëhet pjesë e këtij ekipi.

Përveç bashkëkryesuesve, pjesë e këtij ekipi janë edhe anëtarë të partive tjera, duke përjashtuar dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij ekipi. Këto dy parti, Ekipin negociator të Kosovës e quajnë jo-legjitim.

Ndërkaq, Ekipi negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, aktualisht ka mbetur pa punë për shkak të mosvazhdimit të dialogut në Bruksel, i cili ka ngecur dhe është bllokuar.

XS
SM
MD
LG