Ndërlidhjet

Ahmeti: Qeveria PAN 2 do të ishte gjëja më e keqe për Kosovën


Kosovo: Shpend Ahmeti, the head of Socialdemocratic Party (PSD)
Kosovo: Shpend Ahmeti, the head of Socialdemocratic Party (PSD)

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, thotë se gjëja me e keqe për Kosovën do të ishte një PAN 2, pas zgjedhjeve që pritet të mbahen brenda disa javësh. Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ahmeti thotë se tashmë ka pasur takime me AAK-në dhe LDK-në, mirëpo partia e tij ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor. Ahmeti, partia e të cilit ka 12 deputetë, ka kundërshtuar zërat që e kanë cilësuar PSD-në si paterice të qeverisë Haradinaj kur ka votuar buxhetin si dhe disa ligje tjera. Ai thotë se është i gatshëm të hyjë në një qeveri të përbashkët me gjitha partitë, përveç me PDK-në.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ahmeti, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, a keni pasur ftesa për të hyrë në qeveri?

Shpend Ahmeti: Jo, spekulime kam dëgjuar gjithandej, por unë si kryetar i subjektit dhe në takimet e kryesisë, nuk kemi marrë asnjë ofertë nga askush për t’u pjesë e qeverisë, pra qysh është spekuluar apo qysh kanë thënë të tjerët. Por, në të njëjtën kohë ne kemi deklaruar edhe publikisht, që për shkak të situatës në të cilën gjendemi dhe pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, nuk do të kishte legjitimitet të mjaftueshëm çfarëdo rotacioni tjetër për krijimin e një qeverie për dy vjet të ardhshme. Prandaj, nuk kemi pasur diskutime, nuk kemi pasur negociata as nuk e kemi pasur gatishmërinë për të hyrë në diskutime të tilla.

Radio Evropa e Lirë: A keni biseduar me ndonjërën nga partitë në Kosovë për të bërë koalicion parazgjedhor?

Shpend Ahmeti: Ende nuk kemi arritur në atë fazë, megjithatë kemi pasur takime pas dorëheqjes së Haradinajt. Kam pasur takime me kryetarin e Nismës (Socialdemokrate), kam pasur takime me z.Haradinaj, kemi pasur po ashtu takime me deputetë të LDK-së, besoj që tash do të kem takim edhe me kryetarin e LDK-së edhe me kryetarin e AKR-së.

Këto kanë qenë temat e diskutimeve, si po e shohim rrugën përpara. Çka do të ndodhë në zgjedhje? Cilat janë programet? Me ç’rast, në qoftë se kur të shpërndahet Kuvendi javën e ardhshme të jemi gati për të vazhduar diskutimet për të parë mundësitë a do të garojmë vet, a po do të jemi pjesë e ndonjë koalicioni.

Radio Evropa e Lirë: Po me Lëvizjen Vetëvendosje a keni pasur takim?

Shpend Ahmeti: Jo, për shkak se më shumë kanë qenë të interesuar ta sulmojnë PSD-në, madje nganjëherë më duket më me interes është, më e keqe për ta është PSD-ja sesa PDK-ja. Edhe pse po e them, ne mendojmë se do të ishte mirë, po të ishte një bashkëpunim i bllokut të majtë, i cili pastaj do t’i ofronte bashkëpunim ndonjërës prej partive siç është Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por kanë vazhduar me sulme, në vend se të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, le të jetë në ndërgjegjen e tyre.

Por, ajo që është e qartë është që qeverinë e ardhshme e presin disa detyra të vështira, procesi i dialogut, Gjykata Speciale, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik, natyrisht me mbrojtjen sociale të cilën e kërkojmë ne si PSD. Për këto tema, nëse vërtet dëshirojmë ndryshim, do të kërkohet një koalicion më i gjerë dhe në këtë rast nuk ia vlen të themi ne jemi më të mirët dhe askush tjetër nuk vlen, por duhet të mendojmë se cilat do të jenë programet më të mira dhe më të mirat e skenës tonë politike momentalisht që ta bëjmë këtë ndryshim. Ata të cilët i shajnë të gjithë të tjerët dhe e konsiderojnë veten të mirë, besoj që do të mbesin të vetmuar dhe të izoluar.

Radio Evropa e Lirë: Cila parti në Kosovë është më e pranueshme për PSD-në për të bërë koalicion?

Shpend Ahmeti: Ajo që i pranon pikat tona programore. Këto pika programore kanë të bëjnë me disa çështje të cilat i përmenda më herët, por po i potencoj tash disa prej tyre, lufta kundër korrupsionit është tepër e rëndësishme, transparenca. Pra, ne kërkojmë procesion e Vettingut, një lloj të Vettingut për sistemin gjyqësor, sistemin policor, për politikanët, që do të na mundësonte që në të ardhmen ta kemi një shtet më funksional dhe natyrisht e kërkojmë pjesën e zhvillimit ekonomik, që është i qendrës së majtë, ku nuk shihet privatizimi si i vetmja zgjidhje, por investimit në resurset tona dhe natyrisht mbrojtjen sociale që janë të drejtat e punëtorëve, të drejtat e pensionistëve. Pra, një mirëqenie, të cilat janë pikat kryesore që ne do t’i kërkojmë në çfarëdo koalicioni.

E thash edhe njëherë, në qoftë se nuk ka koalicion, garojmë vetë me këto pika programore, ata të cilët i pranojnë këto pika, atëherë do ta konsiderojmë seriozisht. Nuk dua të them vija të kuqe këso deklarata, por e kemi thënë disa herë që do të ishte mirë për Kosovën, që Partia Demokratike e Kosovës të kalojë së paku një mandat në opozitë.

Radio Evropa e Lirë: Vija të kuqe a keni për ndonjë parti?

Shpend Ahmeti: Kjo vija e kuqe është tejpërdoror, por unë e kam thënë që nuk kemi pasur takime dhe nuk planifikojmë të kemi takime me PDK-në. Vazhdojmë të mendojmë që gjëja më e keqe për Kosovën do të ishte një PAN 2.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni veten në pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës?

Shpend Ahmeti: Unë jam kryetar i Komunës së Prishtinës me mandat deri në vitin 2021, u kam dhënë premtime qytetarëve të Prishtinës, të cilat synoj t’i përmbush deri në fund të mandatit.

Radio Evropa e Lirë: Ju kanë akuzuar se keni qenë patericë e Qeverisë Haradinaj. Si i komentoni këto akuza?

Shpend Ahmeti: Unë e them që Ushtria e Kosovës, taksat, plotë disa politika nuk do të mund të ishin të mundshme pa Partinë Socialdemokrate, për këtë mund t’i pyetni edhe ata që kanë qenë në qeveri, pa kurrfarë përftimi për PSD-në. Pra, nuk kemi kërkuar as poste, e kemi mbrojtur interesin e Kosovës dhe e kemi ruajtur partneritetin me shtetet të cilat i konsiderojmë mike të Kosovës.

Kur kryeministri Haradinaj ka vendosur që ta shtyjë përpara Ushtrinë e Kosovës, atëherë më ka thirrur në telefon dhe jemi takuar dhe ka pyetur: “Kjo do të thotë se Lista Serbe do të largohet kur të shtyjmë ne ushtrinë përpara, a e kemi votën e PSD-së për këtë punë?” Dhe i kam thënë jo vetëm atij, por edhe cilësdo qeveri kur ka çështje të cilat janë të interesit të Kosovës, ne do t’i votojmë.

XS
SM
MD
LG