Ndërlidhjet

Amazona përjeton shpyllëzimin më të madh në 15 vjet


Një xhungël e Amazonës duke u djegur. Gusht, 2020.

Shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se 15 vjet, tregojnë të dhënat zyrtare.

Në një raport të Agjencisë braziliane të Kërkimit Hapësinor (Inpe) thuhet se shpyllëzimi është rritur për 22% në një vit.

Brazili është në mesin e disa vendeve që kanë premtuar se do t'i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, gjatë një samiti për klimën, që është mbajtur këtë muaj në Gllasgou të Skocisë.

Në Amazonë jetojnë rreth tre milionë lloje të bimëve dhe kafshëve dhe një milion njerëz indigjenë.

Rajoni shihet si akumulues jetik i karbonit, që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.

Sipas të dhënave të fundit, rreth 13,235 km katrorë pyje kanë humbur gjatë periudhës 2020-2021. Kjo është hapësira më e madhe që nga viti 2006.

Ministri i Mjedisit i Brazilit, Joaquim Leite, tha se të dhënat paraqesin një “sfidë” përpara.

“Duhet të jemi më autoritarë ndaj këtyre krimeve”, tha ai.

Shpyllëzimi i Amazonës është rritur nën presidentin brazilian, Jair Bolsonaro, i cili thuhet se i ka inkurajuar aktivitetet bujqësore dhe minerare në rajon.

XS
SM
MD
LG