Ndërlidhjet

Shqipëria arreston tre shtetas të Kosovës në një operacion kundër trafikimit të drogës

Pako, që sipas Policisë shqiptare, janë me lëndë narkotike të llojit kanabis. Fotografia është shkëputur nga videoja e publikuar nga Policia e Shqipërisë.
Pako, që sipas Policisë shqiptare, janë me lëndë narkotike të llojit kanabis. Fotografia është shkëputur nga videoja e publikuar nga Policia e Shqipërisë.

Në Durrës të Shqipërisë, autoritetet thanë se kanë arrestuar tre shtetas të Kosovës, dhe kanë sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit "Gelato", që dyshohet se u trafikua nga Kanadaja për t'u shpërndarë më pas në Shqipëri dhe Kosovë.

Tre shtetasit e Kosovës janë identifikuar si T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të cilët dyshohen për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, për veprën penale që dyshohen të arrestuarit parashihet dënim nga shtatë deri në 20 vjet burgim.

Dy persona të tjerë, H.C, i lindur dhe banues në Kukës dhe G.O, i lindur në Kosovë dhe banues në Ontario të Kanadasë janë në kërkim dhe dyshohen për po të njëjtën vepër penale.

“Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin ‘Gelato’, me peshë totale rreth 80 kilogramë”, u tha në njoftim.


Vlera në treg e drogës së sekuestruar, sipas Policisë së Shqipërisë, është rreth 1 milion euro.

Dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, “e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada”.

Policia tha se në bazë të hetimeve të deritanishme, dyshohet se personat e përfshirë në këtë rast kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.

Gjatë operacionit, të emëruar “Anchor”, autoritetet shqiptare thanë se përveç pakove me lëndë narkotike, sekuestruan edhe tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11.000 euro para të gatshme.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG