Ndërlidhjet

Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kërkon shtim të llogaridhënies


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Foto nga arkivi
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Foto nga arkivi

“Nuk duhet të lëmë askënd të besojë se mund të kryejë krime dhe mund t’ia dalë paq”. Me këtë deklaratë të kryeministrit Edi Rama, Shqipëria e shënoi fillimin e Presidencës njëmujore të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Angazhimi i parë i vendit si kryesues i këtij Këshilli është diskutimi mbi forcimin e llogaridhënies dhe shkeljet e të drejtës ndërkombëtare. Rama, në fjalimin e tij u fokusua te mosndëshkueshmëria dhe mungesa e llogaridhënies, me theks të veçntë te agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.

“Kemi parë për shumë gjatë shkelësit, autorët e shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare të lihen të lirë pa asnjë pasojë“, tha kryeministri duke shtuar se kjo kjo “ka ndodhur shumë shpesh, kudo”.

Ai shtoi se diçka e tillë nuk duhet as të tolerohet, e as të pranohet dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të Këshillit që të marrin masa për t’u riangazhuar dhe për të dyfishuar përpjekjet për respektimin e ligjit.

“E kemi parë të gjithë, lufta e Rusisë në Ukrainë që paraqet sfida e kërcënime të shumëfishta për mbarë botën, e ka përforcuar edhe më tej këtë nevojë”, tha ai.

Ai kërkoi të rritet roli i bashkësisë ndërkombëtare për të vënë para përgjegjësisë shtetet që shkelin të drejtën ndërkombëtare, të forcohen mekanizmat e llogaridhënies në nivel ndërkombëtar dhe të orientohet vëmendja te viktimat.

“Të përcaktojmë të vërtetën për krimet ndërkombëtare dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Shqipëria merr kryesimin e OKB-së në njërën nga periudhat më të vështira gjeopolitike.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, kriza e refugjatëve e shkaktuar nga lufta, kërcënimet e vazhdueshme ruse ndaj aleatëve të NATO-s, zgjerimi i mëtejmë i Aleancës ushtarake pro-perëndimore, sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe varësia evropiane ndaj gazit rus e kanë dominuar agjendën ndërkombëtare në muajt e fundit.

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr një rol të tillë në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që u përzgjodh që të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë vit.

XS
SM
MD
LG