Protestuesit janë mbledhur për të trembëdhjetën ditë me radhë në Tiranë, disa orë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi masa të reja për frenimin e dhunës në protesta. Ata marshuan nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, ku u vunë zjarrin karrigeve që Rama kishte vendosur si ftesë për dialog – një nismë që ai e nisi më 20 tetor dhe që protestuesit vazhdojnë ta refuzojnë.
Që nga 13 tetori, protestuesit janë mbledhur çdo ditë, nga mesdita deri vonë në mbrëmje. Protestat shpesh janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme me policinë.
Protestuesit kanë hedhur gurë, fishekzjarrë e molotovë drejt ndërtesave publike, bizneseve private dhe policisë, ndërsa kjo e fundit është kundërpërgjigjur me topa uji, gaz lotsjellës e plumba gome. Forca e përdorur nga policia ka nxitur reagime dhe akuza për ndërhyrje joproporcionale. Qindra protestues e policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Gjatë protestës së 24 tetorit, një 28-vjeçar u godit në sy nga një plumb gome. Ai i është nënshtruar një operacioni dhe, sipas autoriteteve, do të dërgohet në Itali për një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Autoritetet shqiptare kanë nisur hetime për plagosjen e tij.
Protestat u nxitën nga pakënaqësitë me sistemin arsimor, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin e perceptuar në qeverisje. Tashmë, protestuesit e kanë vendosur dorëheqjen e Ramës në qendër të kërkesave të tyre. Kryeministri ka refuzuar të largohet nga detyra.
Rama prezanton masa të reja për protestat
Rama prezantoi më 25 tetor një paketë ligjore që parashikon gjoba deri në rreth 5.500 euro për personat që qëndrojnë në tubime të dhunshme pas paralajmërimeve të policisë, edhe nëse nuk kryejnë vetë akte dhune. Për të miturit mbi 14 vjeç, gjobën do ta paguanin prindërit ose kujdestarët.
Ndryshimet e propozuara përfshijnë kufizimin e tubimeve deri në 72 orë rreth objekteve të ndjeshme, kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, si dhe gjobë ose deri në gjashtë muaj burg për fshehjen e fytyrës në tubime ku ka dhunë apo rrezik konkret dhune. Sipas fjalimit të Ramës, nga ndëshkimi për mbulimin e fytyrës përjashtohen arsyet shëndetësore, fetare ose profesionale, si dhe personat që e zbulojnë atë pas urdhrit të policisë.
Paketa parashikon edhe që policia t’u kërkojë përdoruesve të rrjeteve sociale të fshijnë postimet me thirrje për dhunë gjatë tubimeve. Sipas Ramës, mosfshirja ose përsëritja e tyre mund të çojë në ndjekje penale.
Rama njoftoi gjithashtu mbulimin e 70–100 për qind të dëmeve për bizneset me xhiro vjetore deri në 140.000 euro, ndërsa shkaktarëve do t’u kërkohet të paguajnë dëmet.
Më herët, më 20 tetor, Rama kishte paralajmëruar se po shqyrtohej edhe ulja e moshës së përgjegjësisë penale, krahas kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Ndërkaq, edhe të dielën, Rama vazhdoi t’i akuzojë “ekstremistët e Antifas”, “duart e huaja” dhe Partinë Demokratike për nxitjen e dhunës. Ai nuk paraqiti prova për këto pretendime në fjalimin e tij.
Një ditë më parë, me ftesë të Partisë Demokratike në opozitë, përkrahës të këtij subjekti marshuan drejt Kryeministrisë, ku dogjën edhe “tryezën e dialogut”, të vendosur nga Rama si simbol të ftesës për bisedime. Më pas, ata iu bashkuan protestës së thirrur nga studentët.
Por, disa të rinj që kanë marrë pjesë në protesta i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se kërkesa për largimin e Ramës nuk nënkupton mbështetje për opozitën aktuale. Ata kanë thënë se kërkojnë më shumë llogaridhënie dhe përfaqësim më të mirë politik.
“Kjo protestë nuk promovon një emër apo një parti konkrete”, tha për REL-in studenti Emir Leçini.
“Unë mendoj se ka hapësirë për të rregulluar përfaqësimin politik, pasi shumë qytetarë nuk ndihen të përfaqësuar. Dhe kjo nuk zgjidhet edhe nëse nesër ikën Rama”, shtoi ai.