Ndërlidhjet

Mbi 320 të vrarë në Shri Lankë, IS-i merr përgjegjësinë


Shri Lanka, 22 prill, 2019.

Funerali i parë masiv u bë të martën në Shri Lankë, derisa vendi është në zi për viktimat e sulmeve të së dielës në kisha dhe hotele.

Numri i të vdekurve u rrit në 321, ndërsa të plagosur janë rreth 500, bëri të ditur policia.

Grupi militant Shteti Islamik (IS) e mori përgjegjësinë për sulmet, njoftoi agjencia e lajmeve e tij Amaq. Megjithatë, ai nuk dha prova për pretendimet e tij.

Tri kisha në Negombo, Baticaloa dhe Kolombo ishin në shënjestër të sulmeve, ashtu si edhe hotelet Shangri-La, Kingsbury dhe Cinnamon Grand në kryeqytetin Kolombo.

Zyrtarët thanë se të gjitha sulmet u kryen nga bombardues vetëvrasës.

Policia arrestoi 40 të dyshuar në lidhje me to, tha të martën një zëdhënës.

Shpërthimi në Kishën në Negombo të Shri Lankës
Shpërthimi në Kishën në Negombo të Shri Lankës

Autoritetet shpallën gjendje të jashtëzakonshme, derisa qeveria bëri përgjegjës për sulmet grupin lokal islamik që njihet si “National Thowheed Jamath”.

Gjendja e jashtëzakonshme i jep policisë dhe ushtrisë pushtet për të kapur dhe marrë në pyetje të dyshuar, pa urdhër të gjykatës – kompetenca këto që janë përdorur për herë të fundit gjatë luftës civile të këtij vendi.

Qeveria bllokoi qasjen në rrjetet sociale Facebook, WhatsApp dhe Instagram pas sulmeve.

Grupi “National Thowheed Jamath” nuk ka histori të sulmeve në shkallë të gjerë, por erdhi në dukje vitin e kaluar kur u fajësua për dëmtimin e statujave budiste.

Megjithatë, as ky grup, as ndonjë tjetër nuk ka pranuar se i ka kryer sulmet e 21 prillit.

Shri Lankë, 21 prill, 2019.
Shri Lankë, 21 prill, 2019.

Menjëherë pas tyre u thelluan edhe përçarjet në udhëheqësinë e Shri Lankës, pasi u bë e ditur se autoritetet kanë qenë të paralajmëruara për një kërcënim të menjëhershëm.

Sipas raporteve, agjencitë e sigurisë kanë vëzhguar grupin e xhihadistëve “National Thowheed Jamath” dhe e kanë njoftuar policinë për një sulm të mundshëm.

Por, kryeministri Ranil Wickremesinghe dhe kabineti e tij nuk kanë qenë të informuar, thanë ministrat.

Një mosmarrëveshje midis kryeministrit Wickremesinghe dhe presidentit Maithripala Sirisena u tha se është arsyeja përse Wickremesinghe nuk po merrte informata për sigurinë, tha zëdhënësi i qeverisë, Rajitha Senaratne.

Shri Lankë. 21 prill, 2019.
Shri Lankë. 21 prill, 2019.

​Por, nuk është e qartë nëse edhe presidenti ka qenë i njoftuar me paralajmërimet.

Shumica e atyre që kanë vdekur në sulme, kanë qenë shtetas të Shri Lankës, që po ndiqnin shërbimet kishtare me rastin e Festës së Pashkëve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shri Lankës tha se ka identifikuar edhe 31 shtetas të huaj në mesin e të vdekurve.

Shri Lanka ka qenë në luftë për dekada me separatistë Tamil, por dhuna ekstremiste është zbehur që nga përfundimi i luftës civile, dhjetë vjet më parë.

Ky vend i Azisë Jugore, me rreth 22 milionë banorë, ka popullsi budiste, të krishterë, myslimane dhe hinduse.

Përgatiti: Valona Tela

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG