Ndërlidhjet

Shtatë në dhjetë ukrainas "mbështesin luftën deri në fitore"


Tanke ukrainase.
Tanke ukrainase.

Shtatë në dhjetë ukrainas kanë thënë se shteti i tyre duhet të vazhdojë luftën, derisa të fitojë kundër Rusisë, duke përfshirë marrjen e kontrollit mbi Gadishullin e Krimesë.

Rusia e ka aneksuar këtë Gadishull më 2014.

Një sondazh i Gallupit, i kryer në fillim të muajit shtator, dhe i publikuar më 18 tetor, ka treguar se 70 për qind e ukrainasve dëshirojnë luftë deri në fitore, derisa 91 për qind e konsiderojnë fitore në luftë edhe rikthimin e gjithë territorit të pushtuar nga Rusisë, përfshirë Krimenë.

Vetëm 26 për qind e respodentëve kanë thënë se Ukraina duhet të negociojë fundin e luftës sa më shpejt që është e mundur.

Sondazhi, i kryer në të gjitha rajonet e shtetit, është kryer nga 2 deri më 11 shtator, vetëm disa ditë pasi Ukraina ka nisur kundërofensivën që ka rezultuar me çlirim të disa rajoneve ukrainase.

Që atëherë, Rusia ka nisur sulmet ajrore dhe ato me dronë, duke shënjestruar infrastrukturën civile të shtetit dhe duke lënë shumë zona, me pak, apo aspak, qasje në energji dhe ujë.

“Mbështetja për vazhdim të luftës është më e madhe në rajonet që janë jashtë zonës së konfliktit, dhe më e ulët në pjesët e Ukrainës që janë afër konfliktit”, ka thënë Gallupi, duke vlerësuar se përkrahja më e madhe për luftë është regjistruar në Kiev (83 për qind) dhe zonën perëndimore (82 për qind).

“Ndonëse sulmet me raketa balistike në të kaluarën nuk e kanë thyer dëshirën e popullsisë civile për të luftuar, qasja e ukrainasve mund të ndryshojë nëse ata përballen me dimër të ftohtë, për shkak të sulmeve në infrastrukturë kritike dhe rritje të çmimeve të energjisë, por mund të ndodhë që këto sulme të rrisin edhe më shumë dëshirën e popullit për të luftuar”, ka thënë Gallup.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG