Ndërlidhjet

Disa të vdekur nga të shtënat në një qendër tregtare në Kopenhagë


Kopenhagë, 3 korrik 2022.

Një person i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në Kopenhagë, duke vrarë një numër të paspecifikuar njerëzish dhe duke plagosur disa të tjerë të dielën, tha policia.

Sulmuesi i dyshuar, i cili është në paraburgim, është një "danez etnik", 22-vjeçar, i cili u arrestua pranë qendrës tregtare Fields që gjendet në periferi jugore të kryeqytetit, tha inspektori i policisë Søren Thomassen, kreu i njësisë së operacioneve të policisë së Kopenhagës.

"Ne e dimë se ka disa të vdekur" dhe "disa të plagosur", tha Thomassen në një konferencë për media, duke shtuar se nuk mund të përjashtohet akti i terrorit.

“Ne nuk kemi informacione se të tjerë janë të përfshirë. Kjo është ajo që ne dimë tani".

Ai nuk dha asnjë detaj të mëtejshëm për viktimat apo të dyshuarit, apo sa njerëz u vranë apo u plagosën.

Qendra tregtare ku ndodhi ngjarja është një nga më të mëdhatë në Skandinavi.

Spitali kryesor i kryeqytetit danez, Rigshospitalet, ka pranuar një "grup të vogël pacientësh" për trajtim, tha një zëdhënës për Reuters. Spitali ka thirrur staf shtesë, duke përfshirë kirurgë dhe infermierë, shtoi zëdhënësi.

Qendra tregtare është në periferi të Kopenhagës, pikërisht përballë një linje metroje që lidh qendrën e qytetit me aeroportin ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG