Ndërlidhjet

Platformë online për aplikim të shtesave prej 100 eurosh 


Kartëmonedha prej 100 eurosh. Fotografi nga arkivi.
Kartëmonedha prej 100 eurosh. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e Kosovës është afër finalizimit të platformës online për aplikim për shtesat prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat dhe studentët.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejt do të dalin me njoftimin dhe udhëzimet mbi procesin e aplikimit.

“Është çështje ditësh”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se edhe për shtesat prej 100 euro për studentët janë duke punuar në platformën ku do të mund të bëhet aplikimi.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Ndërkaq, javën tjetër, sipas Qeverisë do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.

XS
SM
MD
LG