Një shtetas turk me banim në Prizren dyshohet se ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçe dhe ka plagosur rëndë vajzën tjetër, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Po ashtu, lëndime ka marrë edhe gruaja 35-vjeçare e të dyshuarit.
I dyshuari M.G., i lindur më 1981 raportohet se ka plagosur veten dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Sipas Policisë, emergjenca mjekësore nuk ka arritur të ndërhyjë menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi i dyshuari qëndronte aty me thikë në dorë. Si pasojë, në vend u dërguan disa patrulla policore.
Vajza e lënduar rëndë është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Policia ka konfirmuar se të gjithë të përfshirët janë shtetas turq me banim të përkohshëm në Prizren.
Rastin e ka dënuar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht”, shkroi Haxhiu.
Për rastin reagoi edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) që shprehu shqetësim të thellë për vrasjen e 15-vjeçares në Prizren.
Vrasjen e cilësoi "akt të rëndë femicidi që nxjerr në pah dhunën sistematike ndaj grave".
Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon reagim urgjent e të përgjegjshëm nga institucionet për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur gratë.
RrGK ofron këshillim ligjor falas në numrin 048 105 800 për viktimat e dhunës me bazë gjinore.