Ndërlidhjet

Shumë persona të infektuar me zgjebe, por nuk ka shpërthim epidemik


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë këtij viti, rreth 300 persona janë infektuar me sëmundjen e zgjebës, apo siç njihet në gjuhën popullore ‘zhuga’’. Ndihmë mjekësore personat e infektuar kanë kërkuar kryesisht në Klinikën Dermatologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Megjithatë, dermatologia Ymrane Blyta, i tha Radios Evropa e Lirë se rastet janë sporadike dhe se nuk ka ndonjë shpërthim epidemik me këtë infeksion.

"Ka raste me zgjebë në Kosovë. Kjo sëmundje nuk e ka ndonjë periudhë kohore të caktuar që shpërthen si ndonjë epidemi. Trajtohet pa ndonjë problem si sëmundje. Mund të them se janë muajt nëntor dhe dhjetor ato me raste më shpeshta që kërkojnë ndihmë mjekësore të prekurit. Ky nuk është ndonjë infeksion bakterial, kjo bartet me kontakt direkt si sëmundje ngjitëse apo edhe përmes robave", tha Blyta.

Sa i përket sëmundjeve ngjitëse, në Klinikën Infektive gjithashtu janë paraqitur raste me variqellë apo ‘lijë të ujit’. Profesionistë shëndetësorë në Klinikën Infektive, thonë se kanë qenë mbi 20 raste që janë trajtuar aty, por që asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet.

Në anën tjetër, Isme Humolli, epidemiologe, i tha Radios Evropa e Lirë se sëmundja e zgjebës nuk paraqet ndonjë rrezik për shëndetin publik. Megjithatë ajo shton se janë kushtet e rënda higjieno-sanitare janë ato që shkaktojnë një infeksion të tillë.

"Nga aspekti epidemiologjik nuk është rrezik për shëndetin publik. Nuk raportohen si raste pasi që janë indikator i kushteve higjieno-sanitare të ulëta. Në Institutin Kombëtar nuk raportohen rastet e zgjebës, siç janë sëmundjet tjera epidemiologjike, apo sëmundjet ngjitëse", tha Humolli.

Sidoqoftë, kjo sëmundje në vend nuk ka ndonjë regjion të caktuar që prek njerëzit, ashtu siç ka qenë vite me radhë infeksioni nga rriqrat apo ethet hemorragjike, ku regjionet që janë prekur njerëzit kanë qenë Malisheva, Rahoveci e Klina.

Ndryshe, zgjeba është një sëmundje ngjitëse parazitare që në vendin tonë ka shkuar drejt zhdukjes së plotë, si rezultat i masave të rrepta që janë marrë në rritjen e kulturës shëndetësore të popullatës. Mjekimi i zgjebes në vendin tonë është i detyrueshëm dhe falas për tërë familjarët e sëmurë.

Shenjat e sëmundjes shfaqen mesatarisht 7 ditë pas futjes së parazitit në lëkurë. Kjo peridhë në disa raste mund të zgjasë deri në 1 muaj.

XS
SM
MD
LG