Egjipti është duke bërë përpjekje të mëdha për ta arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave dhe për t’i lejuar të zhvendosurit në jug të enklavës të shkojnë në veri, tha të premten presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Sisi paralajmëroi për rrezikun e pushtimit të mundshëm të qytetit Rafah, në kufirin e Gazës me Egjiptin, ku besohet se janë strehuar 1.5 milion palestinezë
Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.
“Ne jemi ende duke biseduar për arritjen e një armëpushimi në Gazë, pra ndalje të luftimeve, për të ofruar sasi të mëdha të ndihmave”, tha Sisi.
Iftar mes gërmadhave në Gazë
Lufta në Gazë, më vdekjeprurësja deri tani, nuk tregon shenja të zbutjes me fillimin e Ramazanit mes krizës humanitare ku pjesa më e madhe e popullatës palestineze është në prag të urisë, raporton AFP.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit që ta respektojnë muajin e Ramazanit duke i ndalur luftimet në Rripin e Gazës.
OKB-ja dhe grupet e ndihmës thonë se vetëm një pjesë e furnizimeve të nevojshme për 2.4 milionë banorët e Gazës janë lejuar që kur Izraeli e vendosi atë nën një rrethim pothuajse total pas sulmit të 7 tetorit 2023.
Derisa bota myslimane e nisi muajin e Ramazanit duke agjëruar, shumë palestinezë në Gazë u zgjuan nga një bombardim që i shtyu banorët të kërkonin përsëri për të mbijetuar dhe trupa në rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
Kreu i OKB-së, Guterres, vlerësoi se vrasja e civilëve në Gaza dhe shkatërrimi i territorit palestinez është në një nivel të paprecedent në shtatë vjetët e fundit sa ka qenë ai në krye të Kombeve të Bashkuara.
"Fillimi i Ramazanit ishte i trishtueshëm dhe i mbuluar në errësirë, me shijen dhe erën e gjakut kudo. Pushtuesit izraelitë nuk dëshirojnë që ne të kemi ndonjë gëzim gjatë Ramazanit. Ne nuk kemi ushqim në tryezën tonë për iftar", tha palestinezi i zhvendosur Awni al-Kayyal, 50 vjeç.
Kjo do të përfshinte edhe “kufizimin e ndikimit të kësaj urie tek njerëzit, si dhe lejimin e njerëzve në qendër dhe jug të zhvendosën drejt veriut, me një paralajmërim të fuqishëm kundër pushtimit të Rafahut”.
“Ne kemi paralajmëruar se çfarë po ndodh dhe se mosdërgimi i ndihmave çon drejt urisë absolute”, tha Sisi.
Egjipti, i cili druhet nga zhvendosja e palestinezëve të grumbulluar në afërsi të kufirit të tij, është duke bërë përpjekje, së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, ta ndërmjetësojë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Marrëveshja do të përfshinte edhe lirimin e pengjeve izraelite në shkëmbim të të burgosurve palestinezë.
Të enjten, Egjipti i bëri thirrje Izraelit t’i hapë pikëkalimet kufitare tokësore me Gazën, për të lejuar futjen e më shumë ndihmave.
Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.
Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.