Ndërlidhjet

Sllovenia do të organizojë samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor


Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha ka paralajmëruar se gjatë kryesimit të vendit të tij me Bashkimin Evropian, do ta kthejë fokusin nga procesi i zgjerimit dhe nga Ballkani Perëndimor.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Jansha tha se zgjerimi i BE-së është përgjigja më e mirë strategjike ndaj sfidave me të cilat përballet Evropa.

I pyetur rreth ideve për ndryshimin e kufijve në Ballkan, kryeministri slloven tha se “përgjigja më e mirë ndaj çështjes së kufijve është perspektiva e anëtarësimit në BE”, që sipas tij, e bën çështjen e kufijve më pak të rëndësishme.

Jansha ishte në krye të Qeverisë së Sllovenisë edhe në vitin 2008, kur ky shtet për herë të parë kishte marrë kryesimin e BE-së. Ai tha se që nga zgjerimi i madh i BE-së, kur shteti i tij u bë anëtar i bllokut evropian, e deri më sot, vetëm një shtet ka arritur të integrohet në BE (Kroacia, më 2013) dhe kjo dëshmon se zgjerimi është në fund të prioriteteve të BE-së. Jansha tha se Sllovenia dëshiron ta ndryshojë këtë gjë gjatë gjashtë muajve të kryesimit të Këshillit të BE-së.

Sipas kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike për BE-në, sidomos duke pasur parasysh se ka edhe faktorë të tjerë që tentojnë të kenë ndikim në këtë rajon.

Ai tha se Sllovenia mbështet edhe zgjerimin e zonës së Shengenit, apo zonës së lëvizjes së lirë, pa viza. Në këtë drejtim ai ka thënë se mbështet edhe anëtarësimin e Kroacisë, Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen sepse sipas tij, kjo do ta rrisë sigurinë e BE-së.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, Jansha ka konfirmuar se gjatë kryesimit të Sllovenisë do të zhvillohet edhe një samit i veçantë mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky samit do të zhvillohet në Slloveni më 6 tetor, tha Jansha.

Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një takim mes kryetarëve të grupeve punuese të Parlamentit Evropian dhe Qeverisë së Sllovenisë rreth përgatitjeve për presidencën sllovene të BE-së. Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sassoli tha se Parlamenti do të mbështesë Slloveninë në realizimin e prioriteteve të saja gjatë gjashtë muajve sa do të kryeson BE-në.

XS
SM
MD
LG