Ndërlidhjet

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në tentimin e katërt


Kuvendi i Kosovës, 19 prill.
Kuvendi i Kosovës, 19 prill.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar edhe në përpjekjen e katërt të hënën, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi kohë për të arritur marrëveshje politike për emërimin e kandidatës së saj, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit.

Kjo seancë ishte vazhdim i seancës së ndërprerë më 19 prill, dhe në rend të ditës ishte edhe zgjedhja e pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Sapo nisi seanca të hënën pasdite, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ftoi Lëvizjen Vetëvendosje ta propozojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit si parti fituese.

Por, deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.

“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit”, tha Konjufca.

Kryesuesi Dehari e ndërpreu seancën menjëherë dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve, pra të mërkurën.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kontestuan ndërprerjen e seancës, dhe akuzuan partinë fituese se po bllokon konstituimin duke mos e ndërruar emrin e propozuar për kryeparlamentar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i bëri thirrje LVV-së ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, duke thënë se “Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment”.

“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie në katërvjeçarin e kaluar. Krejt mandatin e ka pasur të përcjellë me skandale të ndryshme. Le ta ndërrojnë kandidatin se nuk iu kalon”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se partia e saj “definitivisht” nuk kërkon një emër tjetër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ata mund të propozojnë si parti fituese edhe një kandidat prej komplet një grupi politik tjetër dhe ne mandej ulemi dhe i pyesim deputetët, se si duan të votojnë ata”, tha ajo.

Haxhiu kishte dështuar t’i fitonte votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit në dy tentime radhazi më 19 prill.

Në seancën e hënës, deputetët duhej t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët në mënyrë që ta konstituonin Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.

Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t'i formojë shpejt institucionet e reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG