Ndërlidhjet

Stambolli sërish në zgjedhje, opozita turke thotë se kjo është “diktaturë e qartë”


Kolegji Zgjedhor i Turqisë ka urdhëruar që zgjedhjet lokale të përsëriten në Stamboll, pas një fitoreje të opozitës në muajin mars.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan u ankua për rezultatin zgjedhor pasi pretendonte se gjatë zgjedhjeve kishte parregullsi dhe korrupsion.

Përfaqësuesi i Partisë së Erdoganit AK në bord, Rexhep Ozel, tha se vendimi u bazua në dokumente të panënshkruara të rezultateve nga zgjedhjet e 31 marsit dhe në faktin sedisa zyrtarë të qëndrave të votimit nuk kanë qenë nëpunës civilë.

Partia e presidentit Erdogan apeloi rezultatin zgjedhor pasi humbi kontrollin në qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin për herë të parë pas 25 vjetësh.

Presidenti Erdogan e përshëndeti vendimin e Kolegjit Zgjedhor si “një hap të rëndësishëm për të forcuar demokracinë turke”.

"Ne e shohim këtë vendim si hapin më të mirë që do të forcojë vullnetin tonë për të zgjidhur problemet brenda kuadrit të demokracisë dhe ligjit", tha Erdogan në një takim të deputetëve të partisë së tij në parlament.

Opozita kryesore në Turqi, Partia Republikane Popullore, e quajti vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve një "diktaturë të qartë".

Kati Piri, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, tha se vendimi "i jep fund besueshmërisë së tranzicionit demokratik të pushtetit përmes zgjedhjeve".

Agjencia Reuters raporton se pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, u organizuan protesta në disa rrethe të Stambollit.

Kandidati i Partisë Republikane Popullore (CHP), Ekrem ImamogluI, cili nga autoritetet zyrtarisht u konfirmua si kryebashkiak i Stambollit muajin e kaluar, tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte i ndikuar nga partia në pushtet.

"Ky vend është i mbushur me 82 milionë patriotë që do të luftojnë për demokracinë deri në momentin e fundit ", deklaroi Imamoglu.

"Ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet tona", i tha ai një turme njerëzish që ishin mbledhur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Votimi në qytetin më të madh të Turqisë do të mbahet më 23 qershor.

Zgjedhjet lokale në të gjithë Turqinë u zhvilluan më 31 mars dhe u konsideruan si një referendum mbi udhëheqjen e z. Erdogan në një situatë kur ekonomia turke është në renie.

Presidenti Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke, prej kur ka ardhur në pushtet 16 vjet më parë dhe ka udhëhequr këtë shtet me masa secilën herë më të ashpra, ka bërë fushatë intensive për këto zgjedhje, të cilat i ka cilësuar si “çështje të mbijetesës” për Turqinë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG