Ndërlidhjet

Suksesi i SpaceX pritet me doza përçmimi në Rusi


Shefi i kompanisë, SpaceX, Elon Musk.
Shefi i kompanisë, SpaceX, Elon Musk.

Kur dy astronautë të NASA-s janë nisur në Hapësirë me një pajisje komerciale amerikane për herë të parë në gati një dekadë, pjesa më e madhe e botës i është gëzuar kësaj arritjeje.

Mirëpo në Rusi, rivalin tradicional të Shteteve të Bashkuara në çështje hapësinore, përgëzimet për nisje të suksesshme dhe arritje të astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirë, kanë qenë të përcjella, të paktën nga disa zyrtarë pro-Kremlinit, me doza përçmimi.

Shefi i Roskosmosit, Dmitry Rogozin. A është topi në anën e tij?
Shefi i Roskosmosit, Dmitry Rogozin. A është topi në anën e tij?

”Histeria e krijuar pas nisjes së suksesshme të anijes kozmike Dragon është vështirë e kuptueshme”, ka thënë Vladimir Ustimenko, zëdhënës i Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Roskosmos, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Ajo që ka ndodhur është dashur të ndodhë shumë kohë më parë. Tani nuk shkojnë vetëm rusët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, por edhe amerikanët. Kjo është fantastike”.

Aleksei Pushkov, aleat i Kremlinit në Dhomën e Lartë të Parlamentit, njëherësh kritik i shpeshtë i Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, ka konsideruar se udhëtimi i astronautëve, Doug Hurley dhe Bob Behnken ka qenë i mërzitshëm, duke shtuar në platformën Telegram se “ai ka qenë fluturim në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe jo në Mars”.

Ai ka shtuar se në të ardhmen, Rusia duhet të ruajë ulëset e anijeve të tyre kozmike për astronautët që ka në nisjen në Hapësirë.

Ustimenko dhe Pushkov nuk kanë qenë të vetmit që duket se nuk u ka bërë përshtypje suksesi i SpeceX, kompanisë së drejtuar nga miliarderi, Elon Musk, e cila ka bërë një hap të madh në garën për Hapësirë, pasi NASA ka ndalur aktivitetin e flotës së saj të anijeve kozmike më 2011.

Mirëpo të tjerë besojnë se Rusia duhet të përballet me humbjen e monopolit gati një dekadësh të gjatë të udhëtimeve të tilla.

“Trampolina po funksionon”

Disa analistë e kanë përshkruar këtë zhvillim si thirrje vetëdijësuese për programin hapësinor të Rusisë, teksa drejtorit gjeneral të Roskosmosit, Dmitry Rogozin i është rikujtuar koha kur, sa ka qenë zëvëndëskryeministër dhe është goditur nga sanksionet amerikane për vendimit armiqësore të Kremlinit në Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ai pati thënë se këto masa ndëshkuese do të jenë “bumerang”.

Astronautët e NASA-s, Douglas Hurley (majtas) dhe Robert Behnken.
Astronautët e NASA-s, Douglas Hurley (majtas) dhe Robert Behnken.

“Pas analizimit të sanksioneve kundër industrisë tonë hapësinore, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë astronautët e tyre në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës duke përdorur trampolinë”, pati shkruar Rogozin në Twitter në prill të vitit 2014.

Musk, i cili vetëm disa ditë para reagimit të Rogozinit, pati thënë se Rusia mund të përfitojë financiarisht nga blerja e pajisjeve për raketa nga konkurenti kryesor i kompanisë SpaceX, ka reaguar sërish pas lansimit të sukesseshëm nga toka amerikane.

“Trampolina është duke punuar”, ka thënë Musk në një konferencë për media pas lansimit, bashkë me drejtorin e NASA-s James Bridenstine, i cili ka përmendur urimet e Rogozinit dhe ka thënë se partnerët rusë të NASA-s, “besojnë në bashkëpunim dhe unë besoj se ai do të vazhdojë të jetë i fortë”.

Kjo deklaratë, që duket se ka qenë si shaka për një grup personash, është konsideruar sfidë për moderatorin e lajmeve të televizionit shtetëror rus, pro-Kremlinit, Vladimir Solovyov.

"'Trampolina po funksionon', Musk e ka përqeshur Rogozinin”, ka shkruar Solovyov në llogarinë e tij në Telegram.

“Si do të përgjigjet Roskomos? Topi është në anën tonë të fushës. Nuk ka nevojë për nguti. Musk e ka përgatitur përgjigjjen e tij për shumë vjet”.

Në postimin e tij, Solovyov ka shpërndarë edhe një postim nga kanali i Telegramit, Nevrotik, njeri me ndikim në rrjetet sociale, që e përshkruan veten si “fshatar të thjeshtë dhe mirëkuptues”.

Nevrotik ka thënë se mbulimet e mediave për lansimin e SpaceX kanë qenë “historike”, “epokë e re” dhe lavde tjera.

Pra 1970?

Blogeri i famshëm, Maksim Kononenko, ka siguruar lexuesit rusë se “ne kemi shumëçka për të qenë krenarë përveç dërgimit të njerëzve në Hapësirë”.

Momente nga nisja e anijes kozmike e kompanisë SpaceX.
Momente nga nisja e anijes kozmike e kompanisë SpaceX.

Duke aluduar në lajmet e fundit se Ministria e Shëndetësisë në Rusi ka siguruar miratim për prodhimin të një ilaçi me emër, Avifavir, me qëllim të luftimit të koronavirusit, Kononenko ka shkruar se “duket se” Rusia është një prej vendeve të pakta që prodhon ilaçe anti-virale.

Teksa ka konsideruar se “fluturimi në Hapësirë është shumë interesant”, Kononenko ka sugjeruar se “ka qenë në modë 50 vjet më parë”.

Megjithatë një ilaç për koronavirusin përbën interesim të madh, ka shkruar mes tjerash ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG