Ndërlidhjet

Sulm i dyshuar kibernetik rus ndaj një kompanie amerikane


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Një kompani softuerike amerikane tha se po heton një sulm të mundshëm kibernetik, teksa një ekspert i sigurisë kibernetike tha se sulmi është i ngjashëm me sulmet e kaluara, që u janë atribuuar hakerëve rusë.

Kompania Kaseya u bëri thirrje konsumatorëve të saj që menjëherë të ndalojnë serverët, që punojnë me softuerin e prekur nga sulmi dhe njoftoi se kompania tashmë ka ndaluar disa nga serverët e saj.

Kaseya tha se sulmi është kufizuar “në një numër të vogël” të konsumatorëve të saj dhe shtoi se po punon me disa kompani të sigurisë, që janë njoftuar me këtë problem.

Një hulumtues i sigurisë kibernetike nga kompania e sigurisë Huntress Labs, tha se kjo kompani është një prej klientëve që përdorin rrjetin e menaxhimit të Kaseyas.

Sulmi ka paralizuar rrjetin e të paktën 200 kompanive amerikane, që përdorin softuerin e Kaseya, tha hulumtuesi, John Hammond.

Hammond tha për Associated Press tha se grupi REvil, që është një sindikatë e hakerëve rusishtfolës, duket se qëndrojnë prapa këtij sulmi.

“Marrë parasysh informatat që kemi, ne fuqishëm besojmë se prapa këtij sulmi qëndron REvil/Sodinikibi”, tha ai.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në maj tha se ky grup qëndron prapa sulmit kibernetik ndaj kompanisë së prodhimit të mishit, JBS.

Agjencia për Siguri Kibernetike dhe siguri të Infrastrukturës (CISA) tha për Radion Evropa e Lirë se po vëzhgon nga afër situatën dhe po punon me FBI-në për të mbledhur informacione mbi ndikimin e këtij incidenti.

“U bëjmë thirrje të gjithë atyre që mund të jenë prekur (nga sulmi) që të respektojnë rekomandimin e Kaseya ndalojnë përdorimin e serverëve VSA”, tha Eric Goldstein, ndihmësdrejtor ekzekutiv për siguri kibernetike në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Lidhur me sulmet kibernetike, kishte folur edhe presidenti Joe Biden gjatë samitit muajin e kaluar, me homologun rus, Vladimir Putin. Presidenti amerikan i kishte thënë Putinin se disa lloje të infrastrukturës kibernetike nuk duhet të jenë cak i sulmeve.

Biden tha se Putini është pajtuar për bisedime të mëtejmë lidhur me këtë çështje.

Para sulmit mbi JSB, sulme të ngjashme ishin kryer edhe ndaj kompanisë së gazsjellësit amerikan, Colonial.

XS
SM
MD
LG