Ndërlidhjet

Trembëdhjetë persona të vrarë si pasojë e sulmit në një universitet në Pragë


Një student i armatosur vret 13 persona në Çeki
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:24 0:00

Një student i armatosur vret së paku 15 persona në Çeki

Një student i Universitetit të Karlit në Pragë, ka vrarë të enjten 13 studentë dhe ka plagosur 25 të tjerë, 10 prej tyre seriozisht.

Policia ka thënë se sulmuesi, 24-vjeçar, e ka paramenduar sulmin.

Autoritetet e kanë gjetur më vonë trupin e tij të pajetë në ambientet e universitetit.

Ky besohet se është incidenti më i rëndë me të shtëna masive në historinë moderne të Republikës Çeke.

Policia ka thënë më herët se mbi 15 persona janë vrarë si pasojë e të shtënave në universitetin në qendër të Pragës, përfshirë sulmuesin, që ka qenë student i institucionit.

Ministri i Brendshëm çek, Vit Rakushan, ka thënë se në ndërtesën e universitetit është gjetur numër i madh armësh.

Ai ka thënë se shifra e viktimave do të mund të ishte shumë më e madhe, nëse nuk do të kishte reagim të shpejtë policor.

Kush është sulmuesi?

Policia ka thënë se ai ka qenë prej një fshati 21 kilometra larg Pragës.

Sipas Policisë, babai i të dyshuarit është gjetur i vdekur më herët gjatë ditës.

Shefi i policisë Martin Vondrashek, ka thënë se sulmuesi është inspiruar prej sulmeve të ngjashme që kanë ndodhur jashtë shtetit.

Ministri i Brendshëm Vit Rakushan, ka thënë se “nuk ka sinjale që krimi ka pasur lidhje me terrorizëm ndërkombëtar”.

Autoritetet çeke kanë thënë se zyrtarët dyshojnë që sulmuesi është përgjegjës për vdekjen e dy personave javën e kaluar në pyllin Klanovicki afër Pragës.

Ata besojnë se sulmuesi – i cili nuk ka pasur histori kriminale – ka shtënë ndaj viktimave, pa dallim.

Policia i ka evakuuar njerëzit nga një ndërtesë, por i dyshuari ka shtënë në tjetrën

Shefi i policisë ka thënë se i dyshuari 24-vjeçar, është supozuar të jetë larguar prej shtëpisë së tij në Hostun, qytezë afër Pragës, për të shkuar në fakultet.

Ngjarja besohet se ka ndodhur kështu:

  • Në orën 12:40 policia e ka gjetur trupin e pajetë të babait të tij në shtëpi.
  • Policia, më pas, e ka kuptuar se i dyshuari mund të ketë shkuar në një ligjëratë në universitet në orën 14:00 dhe ata kanë shkuar aty dhe kanë kërkuar evakuim të njerëzve nga ndërtesa.
  • Megjithatë, i dyshuari ka shkuar në një tjetër ndërtesë të universitetit dhe ka nisur sulmin.
  • Policia e ka pranuar lajmin për sulm në orën 14:59.
  • Policia ka arritur aty brenda minutave me një ekip të specializuar prej 12 personave.
  • Në orën 15:20, policia ka pranuar informacion që trupi i pajetë i sulmuesit është gjetur në ndërtesë.
  • Ndonëse sulmuesi besohet se ka kryer vetëvrasje, zyrtarët policorë kanë shtënë në drejtim të tij, andaj nuk dihet shkaktari i vdekjes.

Disa studentë kanë treguar në platformën X - të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.

Zyrtarë të armatosur policorë shihen në ballkonin e universitetit.
Zyrtarë të armatosur policorë shihen në ballkonin e universitetit.

Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.

“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.

Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.

Presidenti çek, Petr Pavel, ka thënë se është i shokuar nga ngjarja dhe ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave.

Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se do t'i anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.

Liderët nga e gjithë bota kanë shprehur ngushëllime për viktimat.

Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.

Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit - atraksioni kryesor për turistët.

Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.

Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG