Ndërlidhjet

Pakistan: Nga sulmet e militantëve janë vrarë disa policë

  • RFE /RL

Zyrtarët pakistanezë thonë se nga një sulm me bombë në periferi të qytetit jugperëndimor, Kueta, janë vrarë së paku gjashtë pjesëtarë të sigurisë së Pakistanit dhe një civil.

Talibanët pakistanezë, një grup militant që lufton kundër Qeverisë së Pakistanit, e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, në shënjestër të të cilit ishte një kamion me oficerë të policisë, sot herët në mëngjes në dalje të Kuetës.

Shefi i policisë në Kueta, Abdur Razzaq Cheema, tha se nga ky sulm, po ashtu, janë plagosur 22 persona të tjerë, disa prej tyre në mënyrë kritike.

Sipas tij, po zhvillohen hetime për të përcaktuar nëse ky ishte sulm vetëvrasës me bombë ose ishte makinë e ngarkuar me eksplozivë, që është aktivizuar nga largësia.

Trupat e pajetë dhe personat e plagosur me të shpejtë janë dërguar në një spital civil në Kueta, ndërsa vendi i sulmit është rrethuar nga forcat e sigurisë, menjëherë pas eksplodimit.

Në një sulm të ndarë, po ashtu në Kueta, që është kryeqytet i Provincës Baloçistan, zyrtarët thanë se inspektori policor, Abdus Salam, është vrarë nga të shtënat nga një makinë në lëvizje, derisa ai ishte nisur për në punë.

Grupi militant ekstremist, Lashkar-e-Jhangvi, është cituar se ka pretenduar se e ka kryer këtë sulm.

Ministri i Brendshëm provincial, Sarfaraz Bugti, tha se “sulmi kundër terrorizmit nuk ka përfunduar”.

Baloçistani është në linjën e parë të frontit në këtë luftë dhe ne nuk do të ndalemi derisa asnjë terrorist të mos mbetet në këtë hapësirë”, tha ministri Bugti.

E pasur me burime natyrore, provinca Baloçistan, që është në kufi me Afganistanin dhe Iranin, është goditur nga dhuna sektare, sulmet e militantëve islamikë dhe nga kryengritja separatiste, nga e cila janë vrarë mijëra vetë, prej vitit 2004.

Po ashtu sot, në provincën veriperëndimore, Khyber Paktunkhva, në Pakistan, autoritetet thanë se dy pjesëtarë të sigurisë janë vrarë kur automobili i tyre kishte hasur nga një bombë.

Komandanti lokal i talibanëve pakistanezë, Sharyar Mahsud, është cituar se ka thënë se njerëzit e tij ishin përgjegjës për sulmin kundër pjesëtarëve të sigurisë në Banu të kësaj provinca.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG