Ndërlidhjet

Ndërtesa banimi goditen me raketa në Odesa


Sulmet në Odesa më 3 prill. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Sulmet në Odesa më 3 prill. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Forcat ruse kanë kryer sulme me raketa në qytetin e Odesas, kanë thënë zyrtarë ushtarakë të Ukrainës më 23 prill.

Sipas tyre, dy raketa kanë goditur një ndërtesë ushtarake në qytet si dhe dy ndërtesa banimi.

Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë, ka thënë në llogarinë e tij në Telegram se një ndërtesë shumëkatëshe është goditur dhe po digjet.

Ai ka cituar raportimet, pa përmendur diçka specifike, se tre njerëz janë vrarë.

Këto raportime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Këto deklarata vijnë pasi një zyrtar i lartë rus ka thënë se Moska planifikon të marrë kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit dhe të pjesës jugore të Ukrainës.

Komandanti në detyrë i Qarkut Qendror ushtarak të Rusisë, Rustam Minnekayev, është cituar të ketë thënë sipas mediave shtetërore më 22 prill, se kontrolli i plotë i jugut të Ukrainës është qëllim strategjik për të mundësuar qasjen në rajonin pro-rus të Moldavisë, Transdniestër.

“Kontrollimi i jugut të Ukrainës është një tjetër rrugë për në Transdniestër”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo gjë do t’i mundësonte ushtrisë “të ndikonte në pjesë të rëndësishme të ekonomisë ukrainase”.

Në mënyrë që Moska të ketë qasje në Transdniestër, ushtria ruse duhet të fitojë kontrollin e qyteteve Odesa dhe Mikollaiv.

Komentet e Minnekayevit përbëjnë përshkrimin më të detajuar të qëllimeve të Rusisë në fazën e dytë të pushtimit të Ukrainës dhe janë përmendur nga Kievi si shenjë se Kremlini ka gënjyer në deklaratat fillestare kur ka thënë se Moska nuk ka ambicie territoriale.

Kievi ka përmendur po ashtu se rajoni Transdniestër mund të përdoret për të organizuar operacionet ruse kundër Ukrainës dhe Moldavisë, e cila ndan kufirin me shtetin anëtar të NATO-s, Rumaninë.

XS
SM
MD
LG