Ndërlidhjet

Frika mbërthen komunitetin sufist afgan pas sulmeve vdekjeprurëse


Lideri i sufistëve, Abdul Waheed Bahaduri (në qendër të fotografisë) duke u lutur në një xhami në Kabul.
Lideri i sufistëve, Abdul Waheed Bahaduri (në qendër të fotografisë) duke u lutur në një xhami në Kabul.

Mansur Sikandari ishte duke kënduar këngë fetare islamike brenda manastirit Khalifa Sahib në kryeqytetin afgan, Kabul, kur një shpërthimi i fuqishëm goditi ndërtesën.

Manastiri ishte i mbushur me anëtarë të komunitetit sufist të Afganistanit, të cilët ndjekin një formë mistike të Islamit, ku në praktikat e tyre fetare përfshihen vallëzime, këngë dhe muzikë.

Në këtë sulm, që ndodhi më 29 prill, u vranë afër 50 besimtarë dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. Ky është një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj sufistëve në Afganistan.

“Çfarë ndodhi atë ditë vazhdimisht më del para syve”, tha Sikandari për Radion Evropa e Lirë. Ai ishte hospitalizuar për shkak të lëndimeve që kishte marrë gjatë këtij sulmi.

“Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë nën çdo qeveri”, shtoi ai.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për bombardimin, megjithëse ky sulm kishte ngjashmëri me sulmet e mëhershme të kryera nga Shteti Islamik-Khorasan (IS-K). Shumë anëtarë të IS-K janë salafistë, një sekt ultra-radikal i Islamit sunit, që i sheh sufistët si heretikë. Ky grup ekstremist ka kryer sulme shkatërruese ndaj minoritetit shiit në Afganistan, qëkur se ky grup u shfaq për herë të parë më 2015.

Më 22 prill, IS-K morri përgjegjësinë për bombardimin e një xhamie sufiste në provincën veriore të Kunduzit, sulm që la të vrarë të paktën 33 persona dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Ekspertët thanë se militantët e IS-K po sulmojnë sufistët, një sekt kryesisht sunit, për të nxitur një luftë sektare dhe për të minuar sundimin taliban.

“Për këto arsye, ka gjasa që ky zjarr të përhapet edhe më tej”, tha Sami Yousafzai, një gazetar afgan, i cili ka mbuluar ngjarjet për talibanët, qëkur ky grup u shfaq në vitet ’90.

Qëkur kanë marrë pushtetin në gusht, talibanët kanë nisur një shtypje të pamëshirshme ndaj IS-K, që është rivali i tyre. Por, IS-K vazhdon të bëjë qëndresë ndaj kësaj shtypjeje dhe rregullisht ka kryer sulme ndaj zyrtarëve talibanë dhe ka kryer sulme ndaj xhamive, shkollave dhe spitaleve.

‘Frika nga shpërthimet e bombave’

Disa anëtarë të talibanëve kanë qenë ish-ndjekës të sufizmit. Por, interpretimi i rreptë i Islamit nga talibanët është në kundërshtim me format mistike të besimit.

Gjatë sundimit të parë të talibanëve, në periudhën 1996-2001, disa sufistë u detyruan që të fshiheshin. Talibanët bastisën disa manastire sufiste dhe disa tubime, duke rrahur anëtarët e këtij komuniteti dhe duke shkatërruar instrumentet e tyre muzikore. Nën sundimin e tyre, talibanët kishin ndaluar muzikën.

Sufistët i nderojnë shenjëtorët dhe e përdorin muzikën për të përhapur mesazhin e Islamit. Ata përqendrohen në vetëpastrim përmes përkushtimit, në kontrast të fortë me talibanët dhe IS-K që ndjekin një interpretim të fjalëpërfjalshëm të Islamit.

Për më shumë se 13 shekuj, Afganistani ka qenë qendër e Islamit sufist. Shenjtorët e lindur në zonat që përbëjnë Afganistanin e sotëm kishin një rol të rëndësishëm në përhapjen e Islamit në nënkontinent.

Liderët e sufistëve në Afganistan pretendojnë se të paktën 60 për qind e popullsisë së vendit janë ndjekës së sufizmit, ose të paktën mbështesin dhe respektojnë vlerat sufiste. Tyrbet, që besohet se janë vendet e varrimit të figurave të rëndësishme sufiste, janë vende popullore të pelegrinazhit në mbarë shtetin. Shumë liderë fetarë sufistë gëzojnë respekt dhe kanë ndikim në mesin e popullsisë lokale.

“Sufizmi është një praktikim i fesë që përqendrohet në vetëpastrim përmes lutjeve”, tha Ahmad Madani, një afgan, ndjekës i sufizmit.

Pavarësisht imazhit të tyre si mistikë paqësorë, ndjekësit e sufizmit në Afganistan janë përfshirë në mënyrë aktive në politikë dhe në konflikte ushtarake.

Presidenti i ndjerë afgan, Sibghatullah Mujadidi, lider i urdhrit Naqshbandi të sufizmit, kishte udhëhequr një fraksion muxhahedin që luftoi kundër forcave sovjetike në vitet ’80. Pir Sayyid Ahmed Gailani, udhëheqësi i urdhrit Kadirije, po ashtu ka udhëhequr një fraksion muxhahedin.

Një luftëtar taliban bën roje pasi një shkollë në Kabul u godit nga një shpërthim më 19 prill 2022.
Një luftëtar taliban bën roje pasi një shkollë në Kabul u godit nga një shpërthim më 19 prill 2022.

Me talibanët në pushtet dhe militantët e IS-K që po shënjestrojnë sufistët, shumë anëtarë të këtij komuniteti jetojnë me frikë të vazhdueshme. Disa, madje, kanë ndërprerë vizitat në manastire dhe faltore sufiste nga frika se mos vriten në ndonjë sulm.

“Familja ime heziton që të më lejojë të shkoj në xhami sepse ka frikë nga shpërthimet e bombave, veçmas nga sulmet vetëvrasëse”, tha Ghulam Saeed, një banor i provincës Parvan, që gjendet në veri të Kabulit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG