Ndërlidhjet

Ukrainë: Një dyvjeçare e vrarë, 22 të plagosur si pasojë e sulmeve ruse


Pamje nga Dnjipro, pas sulmeve të disa ditëve më parë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pamje nga Dnjipro, pas sulmeve të disa ditëve më parë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një vajzë dyvjeçare është vrarë dhe 22 persona tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi ajror rus, në një zonë të banuar me civilë në qytetin ukrainas, Dnjipro.

Trupi i saj është nxjerr nga rrënojat e një shtëpie përgjatë natës.

Serhiy Lysak, guvernator i rajonit në Dnjipro, ka thënë se pesë prej të plagosurve janë fëmijë, dhe tre djem janë në gjendje në rëndë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka fajësuar Rusinë për sulmet, mirëpo Kremlini ende nuk ka bërë ndonjë koment.

Zelensky ka thënë se shpërthimet në Dnjipro kanë qenë të qëllimshme.

Shpërthime janë dëgjuar edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku janë aktivizuar sistemet ajrore për mbrojtje.

Përgjatë natës, sirenat janë dëgjuar në gjithë shtetin.

Sulmet ajrore ruse janë intensifikuar në javët e fundit mbi Ukrainë, pasi ka pritje për nisjes së kundërofensivës së Kievit, me qëllim të rikthimit të territoreve të pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës.

Zelensky ka thënë më 3 qershor se forcat ukrainase janë gati që ta nisin kundërofensivën.

Mirëpo, më vonë, një ndihmës i ngushtë i Zelenskyt, Uhor Zhovkva, ka thënë se shteti i tij ende nuk është gati të nisë diçka të tillë.

Duke folur për gazetën britanike Sunday Times, Zhovkva, e ka përmendur si arsyetim mungesën e armëve dhe municionit.

Sunday Times ka thënë se deklaratat e paqëndrueshme të zyrtarëve ukrainas, mund të bëhen me qëllim, ashtu që Moska të bëhet konfuze.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG