Ndërlidhjet

AP: Raketat që ranë në Poloni “u hodhën nga Ukraina”


Vendi ku kanë rënë raketat në Poloni. Nëntor, 2022.

Agjencia e lajmeve Associated Press citoi tre zyrtarë amerikanë të kenë thënë se një vlerësim paraprak, sugjeron se raketat që goditën Poloninë të martën, u hodhën nga forcat ukrainase, që po luftojnë kundër forcave pushtuese ruse.

Zyrtarët folën në kushte anonimiteti, pasi thanë se nuk janë të autorizuar për të diskutuar publikisht për këtë çështje.

REL nuk e verifikoi në mënyrë të pavarur këtë informacion.

Raketat që ranë në fshatin Përzedvodov të Polonisë, pranë kufirit me Ukrainën, lanë të vrarë dy persona.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha më herët se nuk ka gjasa që këto raketa të jenë hedhur nga Rusia, por shtoi se hetimet janë duke vazhduar.

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta, duke qenë se Polonia është vend anëtar i NATO-s.

NATO-ja paralajmëroi për të mërkurën një takim urgjent.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se raketat që ranë në Poloni, u hodhën nga Rusia. Megjithatë, ai nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.

Ministria ruse e Mbrojtjes e mohoi çdo përgjegjësi.

Vetë Polonia, në anën tjetër, rriti gatishmërinë e disa forcave ushtarake.

Autoritetet e këtij vendi bënë thirrje për qetësi dhe thanë se nuk mund të përcaktojnë ende se prej nga u hodhën raketat.

XS
SM
MD
LG