Ndërlidhjet

Dhjetëra të arrestuar për sulmin në Stamboll


Disa qytetare në Stamboll pas sulmit të 13 nëntorit në Sheshin Taksim.
Disa qytetare në Stamboll pas sulmit të 13 nëntorit në Sheshin Taksim.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se policia e këtij vendi ka arrestuar 22 persona të dyshuar për sulmin e së dielës në Stamboll.

Në mesin e të arrestuarve, Soylu tha se është edhe personi që ka vendosur bombën.

Ai nuk dha më shumë detaje për ta, por akuzoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit - një grup militant - për sulmin.

Së paku gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën nga shpërthimi në një zonë të frekuentuar të Stambollit.

Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi pasditen e së dielës në Sheshin Taksim.

Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, tha se incidenti besohet të jetë sulm terrorist, i kryer nga një grua.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se autorët do të ndëshkohen.

Duke folur në një konferencë për media në Stamboll, ai e dënoi, siç tha, “sulmin e poshtër” dhe shtoi se “era e terrorit” është në ajër.

Përgjegjësinë për sulmin deri më tash nuk e ka marrë asnjë grup.

Stamboll, 13 nëntor 2022.
Stamboll, 13 nëntor 2022.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, të cilën e akuzoi ministri i Brendshëm turk, është një grup militant që bën thirrje për shtet të pavarur kurd brenda Turqisë.

BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë atë si organizatë terroriste.

Ministrja për Familje dhe Shërbime Sociale e Turqisë, Derya Yanik, shkroi në Twitter se një punonjës i ministrisë dhe vajza e tij janë në mesin e viktimave.

Sulmi u dënua nga përfaqësues të disa vendeve të botës.

Sipas një deklarate të sekretares për media të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “krah për krah” me aleatin e tyre të NATO-s në “luftën kundër terrorizmit”.

“Ne ndajmë dhimbjen tuaj... Ne jemi me ju në luftën kundër terrorizmit”, shkroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Twitter.

Vende, përfshirë Ukrainën, Pakistanin, Italinë dhe Greqinë, shprehën gjithashtu solidaritetin e tyre.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG