Ndërlidhjet

Kryeministrja e Zelandës së Re: Sulmuesi është “pa emër”


Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, u zotua se nuk do ta thotë kurrë emrin e sulmuesit të xhamive në qytetin Kristçërç.

“Ai kërkoi shumë gjëra me aktin e tij të terrorizmit dhe njëra prej tyre ishte fama. Kjo është arsyeja përse nuk do të më dëgjoni kurrë duke përmendur emrin e tij”, tha Ardern në një fjalim emocionues para Parlamentit të Zelandës së Re.

Të shtënat e së premtes së kaluar në dy xhami lanë të vrarë 50 vetë dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

*Video: Pamje pas sulmeve në Zelandën e Re

Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, i vetëpërshkruar si supremacist i bardhë, u akuzua për vrasje.

Kryeministrja Ardern iu drejtua një seance të posaçme të Parlamentit të martën, duke nisur fjalimin e saj me përshëndetjen arabe "Al-Salaam Alaikum”, që në shqip do të thotë “Paqja qoftë mbi ju”.

“Pesëmbëdhjetë marsi do të jetë gjithmonë një ditë e gdhendur në kujtesën tonë kolektive. Në pasditen e qetë të një të premteje, një burrë sulmoi një vend paqësor të lutjeve, duke marrë 50 jetë. Ajo pasdite është bërë dita jonë më e errët”, u shpreh Ardern.

Ajo tha se do të flasë për emrat e atyre që kanë humbur jetën, por jo edhe të njeriut që i vrau ata. “Ai është terrorist. Ai është kriminel. Ai është ekstremist. Por, kur unë të flas, ai do të jetë pa emër”, tha Ardern.

Ajo i siguroi ligjvënësit se sulmuesi “do të përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi qytetarët e Zelandës së Re që të bashkëndjejnë me myslimanët këtë të premte, kur të shënohet një javë nga sulmi.

Ardern më herët ka njoftuar se ligjet e armëve në Zelandën e Re do të reformohen dhe se detajet do të paraqiten brenda disa ditësh.

Kryeministrja po ashtu u bëri thirrje përfaqësuesve të mediave sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin, pasi sulmuesi në Kristçërç e transmetoi drejtpërdrejt aktin e tij në Facebook.

“Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të pranojmë që këto platforma ekzistojnë dhe ajo që thuhet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku publikohet”, tha Ardern.

Të martën, Facebook tha se videoja e sulmuesit të armatosur është shikuar më pak se 200 herë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë dhe rreth 4,000 herë përpara se është hequr nga Facebook-u.

Video: Një dëshmitar përshkruan sulmin në Zelandën e Re

Kompania e medias sociale po ashtu tha se ka fshirë mbi 1.5 milion kopje të videos në 24 orët e para pas incidentit.

Në mesin e 50 personave të vrarë në dy xhami, gjatë faljes së Xhumasë, ishin migrantë myslimanë, refugjatë dhe banorë nga Pakistani, Afganistani, Bangladeshi, India, Turqia, Kuvajti dhe Somalia.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG